Me t’u konfirmuar fitorja e koalicionit “Malësia na bashkon” në zgjedhjet e Tuzit, Nik Gjeloshaj, kandidati i dalë nga bashkimi i tre partive shqiptare, tregoi se cilat do të jenë prioritetet në komunën e lënë pas dore për një kohë të gjatë.

“Komuna ka sjellë mundësi të reja për zhvillimin e Tuzit. Ajo çfarë është esenciale është se do të bëjmë një administratë shqip, në të cilën do të frymohet shqip. Do të nisim edhe planin e zhvillimit urbanistik, thithjen e investimeve të huaja, motivimin e diasporës, që të vijnë të investojnë këtu, hapjen e vendeve të reja të punës dhe normal duke zhvilluar infrastrukturën e vendit tonë”, deklaroi Gjeloshaj.

Me këtë fitore, thotë Gjeloshaj, do të përcillet dhe një mesazh uniteti: “Absolutisht do të bëjmë bashkimin e të gjitha subjekteve që jemi këtu me diasporë, do të përçojmë një mesazh te të gjithë shqiptarët kudo që janë për atë që kanë bërë për këtë proces zgjedhor për ne”.

Në garën për drejtimin e Tuzit, që statusin e komunës së pavarur e mori 1 shtatorin e vitit të kaluar, morën pjesë 5 parti politike dhe koalicioni i tri partive kryesore politike shqiptare, i cili ka fituar zgjedhjet duke siguruar 16 mandate në Kuvendin lokal me 32 vende. Kjo e bën Tuzin komunën e parë që udhëhiqet nga shqiptarët në Mal të Zi.

Kjo fitore u përshëndet nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili e përshkroi si një mësim të mirë dhe se përtej logove, bindjeve politike apo protagonizmit, vetëm të bashkuar mund t’i shërbejnë interesave të shqiptarëve, si dhe nga krerët institucionalë në Kosovë, të cilët gjithashtu e panë si një mesazh për shqiptarët kudo që janë.

Top Channel