Një sulm i koordinuar ka ndodhur në rajonin e policisë të Akropolit, në qendër të kryeqytetit grek, Athinë.

Policia greke thotë se persona të maskuar, që u përkasin grupeve anarkiste, hodhën kokteile molotov dhe gurë kundër rajonit të policisë, duke shkaktuar panik mes banorëve të zonës.

Sulmi ka ndodhur rreth 23:30 të së shtunës, në rajonin e policisë së Akropolit, duke shkaktuar dëme materiale. Policia sqaron se sulmi zgjati disa minuta dhe autorët u larguan me shpejtësi, duke u shpërndarë në rrugicat e zonës.

Nga flakët u dëmtua një automjet i policisë, por për fat nuk pati të plagosur. Roja i rajonit mundi të futet brenda godinës, duke shmangur dëmtimet.

Policia ndaloi disa të dyshuar, por asnjë prej të ndaluarve nuk pranoi të ketë lidhje me sulmin kundër rajonit policor.

Top Channel