“Kurrë nuk do të ndodhë!”. Samiti i Diasporës reagoi me ovacione kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u përbetua se nuk do të bëjë “pazar” me serbët për shkëmbim territoresh.

“Shkëmbimi i territoreve është pazar dhe askënd nuk do të lejojmë që të bëjë pazar me kauzën kombëtare. Pa shkelur mbi trupin tim, nuk do të mund ta cënojë kush një milimetër të territorit të Republikës së Kosovës. Askush nuk do të mund ta cënojë as Trepçën, as Mitrovicën, as Ujmanin dhe asnjë pjesë tjetër të territorit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Hashim Thaçi.

  Thaçi në Samitin e Diasporës: Kurrë shkëmbim kufijsh. Asnjë konferencë me Rusinë

Nga ana tjetër, Thaçi nënvizoi se korrigjimi i kufijve është i nevojshëm për të bërë pjesë të Kosovës edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Korrigjim i kufijve? Po, sepse nuk ka njeri në botë që ma mohon angazhimin tim për realizimin e aspiratës së të drejtave legjitime të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëngjitje me territorin e Republikës së Kosovës, pa cënuar territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi më tej Thaçi.

Ai përsëriti se nuk pranon që pjesë e procesit të dialogut të bëhet edhe Rusia, ndërsa refuzoi idenë e një unioni ballkanik, duke e cilësuar atë të rrezikshme.

“Ideja për ndonjë union ballkanik është cënim i kombit tonë, është cënim i vlerës euroatlantike të orientimit tonë. Ideja për një union ballkanik është rikthim prapa për kombin tonë”, tha Thaçi.

Pjesëmarrës në samit ishte edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, që u bëri thirrje shqiptarëve në Tuz të marrin shembullin e atyre në Maqedoninë e Veriut dhe të bashkohen për të mirën e tyre.

Top Channel