Atentat inspektorëve të Lezhës. Qëllohen me armë nga një mjet në levizje

27/02/2019 14:44

Një automjet në të cilin udhëtonin dy persona në Lezhë është qëlluar me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, në aksin Milot-Lezhë, në afërsi të fshatit Tresh. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të automjetit tip Ford.

Në automjetin e sulmuar udhëtonin Mirel Ndoka, inspektor i INUV në Bashkinë Lezhë dhe Edmond Mhilli, ish-punonjës i Komunës Zejmen.

Autorët parakaluan makinën e tyre dhe në lëvizje i qëlluan ata, por 3 plumbat prekën vetëm pjesën e poshtme të makinës, pa shkaktuar viktima .

Bashkia Lezhë përjashtoi që atentati të ketë lidhje me detyrën e Mirel Ndokës, por hetimet vazhdojnë.

Që të dy janë marrë në pyetje nga policia, e cila ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së biznesve pranë fshatit Tresh, në autostradën Lezhë-Milot.

Top Channel