Jo rrallëherë letërsia është lojacake. Ajo të merr në duar dhe të shtyn në rrjedha që as i ke menduar. Po aq është dhe zemërgjerë. Të ofron qindra lexime, duke qenë gjithnjë e re. Duket se kjo ka ndodhur edhe me romanin më të ri të Zija Çelës, “Djalli komik”, i cili është vlerësuar nga kritika si një roman me një galeri të tërë personazhesh e me një kompozicion të ndërlikuar, i ndryshëm dhe sfidues nga njëri tekst në tjetrin.

Zija Çela është një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe dhe ky roman i fundëm i tij është ndoshta, më i ngjeshuri në korpusin e veprave të tij. Por paradoksalisht, duke qenë më kompakti është edhe më i shtriri në intensitet emocional e figurativ, me shumë simbolika dhe njëkohësisht është vlerësuar si më realisti. “Djalli komik” është një roman i shkruar me një vetëkontroll të admirueshëm dhe natyrshmëri të shpengueshme. Ky ka hyrë si një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë. Jeta është e bukur, thotë shkrimtari në Vitrinën e Librit, TCH, në bisedën me gazataren M. Stafa, pse duhet ta komplikojmë atë? Ka kaq shumë marrëdhënie për të ndarë dhe jetuar e prap ne e murosim veten dhe i vendosim kufinj njëri- tjetrit. Pse, shton ai, c’është ky ‘djall’ që gjendet mes nesh dhe na e komplikon jetën tonë, frymën tonë në këtë botë? Raportin që ndërtojmë me tjetrin? Duke u ndalur shkurtimisht në fabulën e veprës, Zija Çela nuk mund të mos ndalej pak te gjykimet që u dhanë për veprën e tij. “Kritikët dhe studiuesit duhet të sqarojnë lexuesin dhe të trazojnë shkrimtarin, thekson ai. T’ju them të drejtën, klasifikimi që i bëtë ju romanin tim, më futi në ca trazime, sepse asnjëra nga problematikat që ka nxjerrë ai nuk më ka shkuar ndër mend kur e kam shkruar, por me sa duket ato kanë marrë udhë përmes ngjarjesh”, shpjegon Zija Çela, duke shpalosur kësisoj misterin e procesit të krijimit dhe të vetë letërsisë.

Pjesë nga libri:

Kur sëmundja misterioze u bë më kërcënuese dhe njerëzit po kërkonin të largoheshin nga Horketa, si prej një zone lufte, katër qytetet kufitare vendosën të mbroheshin së bashku kundër nesh, pa iu skuqur faqja për tejkalimin e forcës. Nuk di përse, përfaqësuesit e nivelit të lartë zgjodhën për takimin zyrtar një zonë neutrale. Ata u mblodhën rreth njëzet e pesë kilometra larg qytetit të Fierit dhe, pas diskutimeve të gjata, dolën me një dokument, që mori emrin e fshatit ku u hartua: Traktati i Marrëveshjes Shegan. Lajmet bënë të ditur…

* * *

Në Bibël është shkruar se, nëse dikush arrin ta shohë Zotin, ai vdes. Në rininë e saj të hershme këtë ma kujtonte bukuria e sikletshme e Sarës. E shihja dhe mund të vdisja. Kur gjeta rast njëherë për t’ia thënë pas kuintave, ajo buzëqeshi dhe zgjati kokën drejt meje. A thua se me të vërtetë donte të m’i mbyllte sytë, më puthi në ballë. Por të mbyllur m’i gjeti, ngaqë unë pandeha se do të putheshim në buzë.

Sigurisht, atë të diel që po shëtisnim bashkë, ma përmendi koronën në zemër. Tani nuk është më, tha, tani floriri ka shkrirë, por prapëseprapë është në trupin tim, si ai ari koloidial që përdoret kundër kancerit.

Nimfomania e saj meritonte të shpërblehej dhe unë e pyeta:

– A ka ndonjë Ditë Botërore të Guximit?

– Edhe mundet, – tha Sara, duke pritur përkëdhelinë time.

– Ahere yt shoq duhet të ketë lindur bash atë ditë.

– E ke gabim, – tha. – Burrit tim çdo mbrëmje sikur i ngordh damari i guximit, kurse çdo mëngjes i harbohet. Natën është karakter, ditën temperament.

Top Channel