Përpara përmetarëve, Edi Rama tregoi 3 arsyet, për të cilat – sipas tij, – opozita po përpiqet të rikthejë një skenar të ngjashëm me atë të vitit 1997.

“Cili shqiptar me mend në kokë mund të pranojë, që sot në vitin 2019, Shqipëria të kërcënohet nga fantazmat e 1997-s. Për çfarë? Për t’i shpëtuar Saliu drejtësisë? Për të shpëtuar Luli karrigen si kryetar i partisë? Apo për t’u kthyer me kokë Mona në mes të tepsisë?”, tha Rama.

Kryeministri pohoi se gjatë këtyre ditëve ka marrë mesazhe të shumta nga qytetarët, që i kërkojnë të mos lëshojë pè.

“S’kam asnjë pè në dorë për të lëshuar. Kam një detyrë për të kryer, që ma jep mua dhe na e jep të gjithëve ne, kontrata që kemi me shumicën e shqiptarëve: të qeverisim deri kur të mbarojë mandati ynë dhe deri kur të kemi votat në Parlament”, tha Rama.

Fenomene si korrupsioni dhe droga, pohoi Rama, nuk kanë munguar, por shton se opozita është e padenjë që të drejtojë gishtin e akuzës drejt tij.

“Na akuzojnë neve, sikur këta erdhën nga Hëna, jo sikur ishin bërë njësh me minjtë atje në Lazarat, që shisnin kanabis e ndanin paratë bashkë me këta”, tha Rama.

Reforma në Drejtësi – tha Rama, – është arsyeja e vërtetë përse opozita ka braktisur institucionet.

“U formuan institucionet e para të drejtësisë, e po formohet edhe ajo Prokuroria speciale kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Ajo prokuroria speciale që ishte një nga arsyet kryesore përse këta nuk e donin Reformën në Drejtësi”, tha Rama.

Pikërisht ndihmën e SPAK-ut kërkoi edhe një qytetare, që akuzoi me emra të përveçëm ish-zyrtarë të lartë të LSI-së, deri në nivel ministri, për të cilët tha se i kanë kërkuar parà në këmbim të një licence linjash autobusi.

“Në vitin 2017, Sokol Dervishi ka marrë nga dy persona 50 milionë lekë (5 mln lekë) që ka shitur licencat tona. Çfarë kërkon zonja Mona doktoresha, ende të na shkelë me këmbë? Zoti ma mori burrin, Mona ma mori linjën e autobusit. Sot kërkoj që Prokuroria t’i kthehet Ministrisë së Transporteve të shikojë licencat tona. Që i ka marrë 50 milionë Sokol Dervishi dhe bënte fushate. Bahri Shaqirit i kam shkuar dhe më thoshte hidh paranë. Ku t’i gjeja zoti kryeministër ato parà, që t’i jepja për licencën? Zoti Ermal Topalli ka marrë 5 milionë (500 mijë) për një linjë që na ka dhënë Këlcyrë-Tiranë”, tha qytetarja.

Top Channel