Ndërkohë që çmimet “Oscar” të këtij viti do të ndahen të dielën, “Hollywood”-i është mbërthyer edhe më herët nga ethet e çmimeve. Por, ka disa çmime të cilat asnjë prej yjeve nuk do t’i dëshironte.

Janë pikërisht ato të “Mjedrës së Artë”, për “filmin më të keq” dhe “performancën më të keqe të vitit”, të cilat janë shpallur tashmë.

Dy çmime për aktorin më të keq i kanë shkuar Donald Trumpit, në rolin e vetvetes në dokumentarët “Vdekja e një kombi” nga Dinesh D’Souza dhe “Fahrenheit 11/9” të Michael Moore.

Ndërsa ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway u votua si aktorja më e keqe mbështetëse, për shfaqjen e saj në “Fahrenheit 11/9”.

Sherlock Holmes, i rikthyer në “Holmes & Watson” fitoi 4 “Mjedra të arta”, mes të cilave për filmin më të keq dhe aktorin mbështetës më të keq.

Melissa McKarthy, në anën tjetër, fitoi çmimin e aktores më të keqe, pavarësisht faktit se ajo është nominuar për çmimin e aktores më të mirë në ceremoninë e pritshme të “Oscar”-ëve. Ajo e mori “Mjedrën e saj të artë” për rolet e saj në filmat “The Happytime Murders” dhe “Life of the Party”.

Nëse ia del në “Oscars”, McKarthy nuk do të jetë e para që fiton një “Oscar” dhe një “Razzie” në të njëjtin vit.

Sandra Bullock fitoi në 2010 një “Oscar” për filmin “Blind Side”, një ditë pasi kishte marrë statujën në formë mjedre për rolin në “All About Steve”. Ceremonia e çmimeve “Razzies”, apo e “Mjedrës së artë”, është krijuar në vitin 1980 dhe shërben si një antidot ndaj “Oscar”-ëve të “Hollywood”-it, vetëm një natë para ceremonisë së madhe.

Top Channel