“Largimi i Edi Ramës është misioni më i madh kombëtar i çdo shqiptari”. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të takimit me krerët e degëve të partisë në rrethe.

“Duke nisur nga java e ardhshme, më 28 shkurt, 7 mars do të organizohen protesta kombëtare para Asamblesë kriminale që ka uzurpuar godinën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dhe më 16 mars do të zhvillohet një tjetër protestë e madhe kombëtare me qëllim rrëzimin e Edi Ramës. Protestat do të kenë për qëllim maksimalizimin e pjesëmarrjes qytetare, bashkimit dhe zemërimit qytetar”, u shpreh Basha për mediet, jashtë selisë së PD-së.

Një gjë e quajti ai të sigurtë, se hapi i të enjtes së kaluar nuk është pa kthim vetëm për opozitën, por edhe për Edi Ramën, duke e akuzuar këtë të fundit për një plan për kapjen e zgjedhjeve të ardhshme.

“Plani që ka vënë në lëvizje prej muajsh për kapjen e zgjedhjeve të ardhshme. Largimi i Edi Ramës është sot misioni më i madh kombëtar që ka çdo shqiptar që do familjen e vet dhe fëmijët e tij. Ne nuk do të lemë as zgjedhjet e ardhshme dhe as fatin e shqiptarëve në duart e narkomafias, që po përgatitet të blejë zgjedhje e ardhshme, sepse të tilla nuk do të ketë. PD dhe opozita e bashkuar do të marrin të gjitha masat, protestë pas proteste, pa asnjë pengesë dhe frenim të zemërimit popullor derisa ta shporrim këtë bandit dhe hajdut nga karriget që ka vjedhur me krimin dhe paratë e krimit”, deklaroi Basha.

Nëpërmjet këtij hapi ekstrem, opozita beson se do të detyrojë kryeministrin Rama të tërhiqet nga pushteti, siç thonë “i blerë në bashkëpunim me krimin”, dhe t’i hapë rrugë një qeverie tranzitore, që do të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Top Channel