Era ishte e fortë, retë kishin bllokuar diellin dhe deti ishte i errët dhe i ftohtë, por Hagai Mayer dhe dy miqtë e tij, nuk u sprapsën. Ata donin të shikonin peshkaqenët.

Çdo dimër, ndërsa temperatura e detit bie, peshkaqenët kërkojnë ujëra më të ngrohta dhe i afrohen brigjeve veriore të izraelit, duke tërhequr entuziastët me shpresën e parjes nga afër të gjahtarëve enigmatikë.

Dhjetëra peshkaqenë, deri në tre metra të gjatë, i afrohen një zone që zakonisht ngrohet nga turbinat e një stacioni energjie në afërsi të Haderas.

Zona është bërë një magnet jo vetëm për peshkaqenët, por edhe për kërkuesit dhe aventurierët si Mayer, që në një mëngjes të ftohtë shkurti, përgatitej për t’u zhytur.

“Jemi këtu për t’i bërë një vizitë peshkaqenëve. E kemi bërë këtë edhe vitet e kaluara, sa herë kemi patur mundësinë”, tregon Mayer.

T’i shohësh kafshët e mëdha nënujore në habitatin e tyre natyror, është sipas tij një fluks adrenaline që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Fatmirësisht, nuk ka patur incidente në të cilat peshkaqenët sulmojnë njerëzit në brigjet izraelite të Mesdheut, prej dekadash.

Top Channel