Quhet Exequiel Palacios dhe në Argjentinë betohen se do të jetë një prej shtyllave të Kombëtares në të ardhmen. Prej muajsh, agjentët e tij punonin për lëvizjen më të madhe të karrierës, e tani, talenti nga Amerika e Jugut mund të krenohet se do të luajë me një nga klubet më të mëdha, në mos më të madhin në planet.

Mediet spanjolle e cilësojnë të përfunduar kalimin e mesfushorit teknik te Reali i Madridit, një marrëveshje që kënaq financiarisht edhe River Plate, klubi që ka në pronësi kartonin e futbollistit.

Exequiel Palacios do të bëhet pjesë e skuadrës “merengues” duke filluar që nga muaji qershor i këtij viti, ndërsa në arkat e klubit argjentinas do të shkojnë plot 20 milionë euro.

Gjithashtu, vet Palacios do të nënshkruajë një kontratë 6-vjeçare me “Los Blancos” dhe do të fitojë një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon.

Mesfushori 20-vjeçar shkëlqeu këtë sezon me Riverin, duke qenë protagonist i padiskutueshëm edhe në triumfin në Kupën e Libertadores, ndërsa zgjoi interesin e shumë klubeve europiane.

Por, përballë avancimit të Interit dhe Milanit, fitues doli një i tretë dhe Reali shpreson që Palacios ta justifikojë në fushë firmën me “galaktikët”.

Top Channel