Të shmanget dhuna! Mesazhi kryesor në lajmet e përcjella nga mediet e huaja mbi Shqipërinë dhe protestën e sotme fokusohet pikërisht te thirrjet për të evituar një përshkallëzim të situatës.

“Fox News” e nis me paralajmërimin e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara kundër dhunës, që i drejtohet opozitës shqiptare, duke theksuar që ligjvënësit të mos e bojkotojnë Parlamentin, “një ngërç ky i krijuar nga korrupsioni i supozuar i qeverisë”, siç thotë rrjeti televiviz amerikan.

Aty përcillet mesazhi i ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili u takua të mërkurën me Bashën dhe ia bëri të qartë se pret që në protestën e sotme të mos ketë dhunë.

Një ditë më parë ishte Ambasada e SHBA në Tiranë, ajo që nxori një deklaratë ku iu kërkohej deputetëve të mos i dorëzojnë mandatet, duke iu kujtuar se kjo do të minonte parimet bazë të demokracisë dhe progresin e rëndësishëm të arritur nga vendi ynë në drejtim të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së përgjegjshme.

“Euractiv” thekson po ashtu çështjen e mandateve, duke e cilësuar si episodin më të fundit të një serie zhvillimesh dramatike e protestash kundër kryeministrit Edi Rama. Ai kujton gjithashtu incidentet dhe dhunën e së shtunës, ndërsa tregon nga ana tjetër se Edi Rama e ka përshkruar lëvizjen e fundit të opozitës si shenjë “dëshpërimi”.

Ashtu siç ndodhi edhe me protestën e së shtunës, “Deutsche Welle” thekson masat e forta të sigurisë, të dukshme në kryeqytet, duke nënvizuar sidomos mbrojtjen e Parlamentit me tela me gjemba. Radiotelevizioni Italian thotë nga ana tjetër se, korrupsioni dhe trafiku i drogës janë shtysat për opozitën dhe protestat e saj, e citon ndërkohë kryeministrin Rama të pohojë se korrupsioni ekziston, por antikorrupsioni është shumë më i fortë sesa përpara, ndërsa problemin e kanabisit e quan të çrrënjosur.

Top Channel