Italia konfirmon se vajza e diplomatit të zhdukur koreano-verior është kthyer në shtëpi

21/02/2019 03:43

Koreja e Veriut e informoi Italinë vitin e kaluar se vajza e ambasadorit të saj në detyrë, kishte kërkuar të kthehej në shtëpi, pasi babai i saj u largua nga posti në Romë, tha të mërkurën ministria e jashtme italiane.

Diplomati i Koresë së Veriut, Jo Song Gil dhe gruaja e tij, u zhdukën në nëntor dhe një gazetë e Koresë së Jugut ka raportuar se ata kanë aplikuar për azil në një vend të paspecifikuar perëndimor.

Thae Yong Ho, një ish-zëvendës ambasador i Koresë së Veriut në Britani, i cili u largua nga Koreja e Jugut më 2016-ën, tha të martën se Gil nuk mundi ta merrte me vete vajzën e tij, kur ai u arratis. Duke përmendur kontaktet e tij në Korenë e Veriut, Thae tha se ajo ishte kthyer menjëherë në Phenian.

Në një postim me nota zemërimi në Facebook, Manlio Di Stefano, nënsekretar në Ministrinë e Jashtme italiane, kërkoi informacion rreth zhdukjes së vajzës, duke thënë: “Ata që janë përgjegjës për këtë, do të paguajnë”.

Pak kohë më pas, ministria e tij nxori një deklaratë duke thënë se ata ishin njoftuar nga Koreja e Veriut më 5 dhjetor se Jo dhe gruaja e tij ishin larguar nga ambasada më 10 nëntor dhe se vajza e tyre ishte riatdhesuar më 14 nëntor.

Ajo tha se vajza kishte kërkuar të kthehej te gjyshërit e saj dhe ishte shoqëruar nga stafi femra nga ambasada e Koresë së Veriut. “Farnesina (Ministria e Jashtme) nuk ka ndonjë informacion të mëtejshëm në lidhje me këtë çështje”, u tha në deklaratë.

Di Stefano, një anëtar i Lëvizjes 5-Yjet në koalicionin qeverisës të Romës, tha se vajza e paidentifikuar ishte 17 vjeç dhe Italia duhet ta kishte mbrojtur atë. “Tani ajo rrezikon të torturohet nga një nga regjimet më të këqija në botë”, shkroi ai.

Top Channel