Bangladesh, 78 viktima nga zjarri në lagjen historike

21/02/2019 12:13

Plot 78 vetë kanë vdekur mes flakëve që përfshinë një lagje historike të kryeqytetit të Bangladeshit, Daka.

Zjarri shpërtheu gjatë natës, në një ndërtesë rezidenciale që kishte materiale të djegshme, të grumbulluara në katin e saj nëntokë. Mes viktimave mendohet të jenë edhe disa dasmorë. Shkaku i nisjes së flakëve nuk është ende i qartë.

Lagjja qindravjeçare “Chawkbazar” i ka godinat shumë pranë njëra-tjetrës dhe rrugët tejet të ngushta. Pikërisht kjo u kthye në pengesë për zjarrfikësit, që kishin mungesë të rezervave të ujit.

Zjarret nëpër ndërtesa janë mjaft të zakonshme në Bangladeshin me dendësi të madhe popullsie, e me kushte mjaft të dobëta mirëmbajtjeje dhe mungesë rregullash të sigurisë.

Me qindra vetë kanë humbur jetën prej tyre gjatë viteve të fundit. Të dielën, flakët që shpërthyen në periferinë e qytetit bregdetar “Chittagong” vranë të paktën 9 persona.

Lagjja 400-vjeçare “Chawkbazar” mbetet një qendër e biznesit të lëndëve kimike e punishteve lokale të parfumeve, edhe pse autoritetet e ndaluan magazinimin e kimikateve atje, pas një zjarri vdekjeprurës në vitin 2010.

Top Channel