Kreu i Grupit Parlamentar të Ps-së, Taulant Balla

Mbërritja e delegacionit të Parlamentit çek në Kryesinë e Kuvendit i parapriu me pak minuta spostimit të protestës së opozitës.

Me në sfond thirrjet kundër qeverisë, ata u pritën nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili reagoi i pari nga mazhoranca ndaj veprimit ekstrem të opozitës.

“Ndava me kolegët e Parlamentit çek shqetësimin e thellë për hapin e pamenduar mirë të hedhur nga deputetët e opozitës, sepse si në çdo vend demokratik marrja e pushtetit me dhunë apo përpjekjet për delegjitimimin e proceseve demokratike është e papranueshme dhe e pa tolerueshme”, deklaroi Balla.

Sipas numrit dy të socialistëve, me dorëzimin e mandateve opozita injoroi popullin: “Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë dhe se mandatet parlamentare përfaqësojnë vullnetin e popullit. Dorëzimi apo dorëheqja prej tyre është injorimi i vullnetit të popullit”.

Përfaqësuesi i delegacionit çek, Ondrej Benesik, që në vendin e tij i përket opozitës, tha se turbulencat politike nuk janë fatlume për integrimin evropian. Fusha e betejës e një deputeti të opozitës është Parlamenti, theksoi ai.

Top Channel