Manchester City vuajti jo pak në transfertën e “Gelsenkirchen” përballë Schalke 04, të vlefshme për fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Të besuarit e Guardiolës e nisën me gol që në minutën e 18′, kur Sergio Aguero shënoi pas një asisti të David Silvës, por gjithçka u përmbys që në pjesën e parë.

Në minutat e 38′ dhe 45′, arbitri kryesor akordoi dy 11-metërsha për vendasit, të cilët u ekzekutuan saktë nga fantazisti Bentaleb. Ndeshja për City-n u komplikua edhe më shumë në minutën e 68′, kur Nicolas Otamendi mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 vetë.

Por të besuarit e Guardiolës nuk u dorëzuan dhe arritën të shënojnë dy gola në 5 minutat e fundit të sfidës, fillimisht me Sane dhe më pas me Sterling, duke përmbysur rezultatin.

Me këtë fitore, Manchester City është me një këmbë në çerekfinale, pasi vështirë se mund të humbasë me dy gola diferencë në sfidën e kthimit në “Etihad Stadium”.

Top Channel