“Kam nderin dhe privilegjin t’iu bëj të ditur vendimin unanim të Këshillit Kombëtar për djegien e mandateve parlamentare me efekt të menjëhershëm”.

20 shkurtin, demokratët e përkujtuan ndryshe këtë vit. Oborri i selisë blu kishte marrë përmasat e një mitingu në pritje të vendimit të Këshillit Kombëtar, i cili me vota unanime vendosi djegien e mandateve, duke shënuar në këtë mënyrë precedentin e parë në historinë e pluralizimit shqiptar.

“28 vite pas rrëzimit të simbolit të diktaturës më të egër, shqiptarët të bashkuar si asnjëherë do të kenë
në krahun e tyre Partinë Demokratike, si qytetarë të thjeshtë, për të vendosur që kurrë më në Shqipëri të mos vendoset një regjim tjetër diktatorial. Dhe zgjedhim me përgjegjësi të plotë t’i bindemi urdhrit të
sovranit. Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli, ndaj qytetarët jeni ju”, deklaroi Basha.

Ndërkombëtarët iu kërkuan udhëheqësve të opozitës të mos e ndërmerrnin këtë akt, por kryedemokrati kishte një përgjigje për ta.

“Ne e hedhim këtë hap pasi kemi shterruar çdo mundësi tjetër. Por unë e di se këtë betejë të madhe, ne të gjithë së bashku do ta fitojmë për Shqipërinë, për demokracinë, për Europën, për Amerikën. Do ta fitojmë për të sotmen, do ta fitojmë për të nesërmen, për të ardhmen e këtij vendi”, tha Basha.

Mazhoranca u tërhoq nga punimet e Kuvendit, por opozita nuk hodhi asnjë hap pas.

“Askush mos të mungojë, zonja dhe zotërinj, qytetare e qytetarë, demokratë dhe socialistë të tradhtuar nga rilindja kriminale, në protestën e nesërme në orën 10.00 para Kuvendit të Shqipërisë, i cili një orë e më parë do t’i kthehet Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo krimit e korrupsionit”, deklaroi Basha.

Demokratët nisën menjëherë firmosjen e dokumentit, ku vullnetarisht duhet të deklaronin se jepnin dorëheqjen e parevokueshme nga mandati i deputetit. Të njëjtin akt ndërmorën edhe kolegët e tyre të LSI-së.

Top Channel