Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Herdi Prenga ka lënë skuadrën kroate të Inter Zapresiç, për t’iu bashkuar kampiones në fuqi të Letonisë, FC Riga-s.

Futbollisti 24-vjeçar luante prej disa sezonesh në kampionatin kroat, fillimisht me Lokomotivën e Zagrebit dhe më pas në dy sezonet e fundit, te Inter Zapresiç.

Pikërisht te kjo skuadër, Prenga kishte zhvilluar 13 ndeshje si titullar në pjesën e parë të këtij sezoni, duke tërhequr vëmendjen e skuadrës letoneze.

Riga i ka ofruar Prengës një kontratë dy vjeçare, me opsionin për një vit të tretë, nëse gjërat mes palëve do të vijojnë normalisht.

Herdi Prenga debutoi me Kombëtaren Shqiptare vitin e kaluar në sfidën përballë Izraelit, ndërsa transferimin në Letoni e shikon si një trampolinë, pasi Riga merr pjesë thuajse gjithmonë në kupat e Europës.

Top Channel