“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës veprimet e Bashkisë së Malësisë së Madhe, e cila ka akorduar plot 1.5 milionë lekë për udhëtimin turistik të këshilltarëve bashkiakë. Në Agjencinë e Prokurimit Publik, kjo bashki ka hapur një tender me objekt “udhëtim për këshilltarët, për shkëmbim eksperience”.

Tenderi do të bëhet në datën 28 shkurt dhe firma fituese ka 3 ditë kohë që ta kryejë këtë udhëtim. Udhëtimi është parashikuar të realizohet në fillim të muajit mars.

“Fiks Fare” siguroi dokumentet nga APP, ku është parashikuar edhe i gjithë itinerari i udhëtimit të 33 personave. Firma që duhet të fitojë tenderin duhet të kryejë transportin me autobus Koplik-Podgoricë për 33 persona, bileta avioni Podgoricë-Beograd, transport me autobus nga aeroporti në hotel në Beograd, si dhe dy vakte ngrënieje.

Ditën tjetër është parashikuar udhëtim me autobus nga Beogradi në Budapest, guidë në dispozicion për prezantimin e vendeve që vizitohen sipas agjendës për 3 ditë. Fjetja do të bëhet në Budapest dhe janë parashikuar 3 vakte ngrënieje për 33 persona. Më pas do të bëhet kthimi me autobus deri në Beograd, me avion nga Beogradi në Podgoricë, si dhe transporti deri në Koplik. Për 33 persona do të pritet edhe siguracion i shëndetit.

Gazetarët e “Fiksit” pyetën në Malësinë e Madhe dhe mësuan se 33 personat që do të udhëtojnë nga Kopliku deri në Budapest janë anëtarët e Këshillit Bashkiak. Sipas informacioneve, të gjithë anëtarët, të PS-së, LSI-së dhe PD-së kanë dhënë miratimin e tyre për këtë udhëtim.

Disa banorë të Malësisë së Madhe thanë se “po u vidhen lekë”. Ata thonë se këshilltarët nuk u kanë zgjidhur asnjë hall, madje nuk i kanë çuar në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Bashkinë e Malësisë së Madhe dhe fillimisht takuan përgjegjësin e zyrës juridike. Ai tha se udhëtimi është miratuar nga Këshilli Bashkiak. Sipas tij, Këshilli ka 31 anëtarë dhe dy të tjerë janë guida dhe një konsull nderi.

“Unë kam për detyrë vetëm prokurimin. Ka ardhur një ftesë nga Hungaria, ngaqë ne nuk kemi linja direkte, linjat direkte janë vetëm një herë në javë. Kemi gjetur një linjë transporti tranzit në Beograd, pastaj nga Beogradi do të shkojnë me autobus. Guida është stafi i agjencisë, për të gjithë këtë pjesën që do të vizitohet. Do të jetë një person që do t’iu shpjegojë këto që do të vizitohen”, thotë juristi, duke shtuar se udhëtimi do të zgjasë dy net dhe 3 ditë.

“Fiksi” bisedon edhe me sekretarin e Këshillit Bashkiak. Ai thotë se “me që ka ardhur ftesa, do të shkojmë”. Pyetjes nëse udhëtimi është paketë turistike, ai i përgjigjet se “turistike s’është, por thjesht neve duhet të na sqarojë dikush se për atë punë është”.

Më tej shton se do të shkojnë të gjithë këshilltarët. Në lidhje me fondin, thotë se e kanë miratuar të gjithë anëtarët. Kurse për drekat dhe darkat të paguara, pohon se “nuk mund të jenë 3 vakte”, megjithëse është shkruar në dokumentet në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Gazetarët komunikojnë edhe me kreun e Këshillit Bashkiak, Ilir Halaj. Ai tha se nuk e di sa është fondi, por propozimi ka ardhur nga të gjithë anëtarët e këshillit.

“Kanë qenë dakord edhe ata të opozitës, e kanë konfirmuar të gjithë. Asnjëri nuk ka thënë jo. Është vendimi i Këshillit, s’ka punë Bashkia hiç. Kur është ndarë buxheti janë lënë X lekë për këtë gjë”, thotë Halaj. Më tej shton se fondi është nga paratë e buxhetit të shtetit dhe ai nuk ka shumë informacion, pasi vetëm 7.000 lekë merr në muaj.

Ndërkohë, Gjovalin Vreshtaj, kreu i PD-së në këtë Këshill nuk ka dijeni për udhëtimin në Budapest, por për një ftesë nga një komunë e Brukselit, në Belgjikë.

“Më kanë marrë sot në telefon dhe më kanë kërkuar kopjen e pasaportës. Unë flas për vete, po edhe për të djathtët. Në buxhet nuk është miratuar për atë punë. Këshillave nuk iu lejohet udhëtimi turistik, është shkelje ligji”, thotë ai.

***

Bashkia, Malësi e Madhe
Gazetari – Deshëm të dimë, për çfarë po bëhet ky udhëtim? Ka pasur ndonjë ftesë nga Podgorica, Beogradi nga Budapesti?
Juristi – Idea është kjo, është miratuar me vendim të Këshillit një fond për t’i krijuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
Gazetari – Të gjithë anëtarëve të Këshillit?
Juristi – Sigurisht!
Gazetari – Të PS-së, LSI-së. Do të udhëtojnë të gjithë?
Juristi – Po, po absolutisht. Kemi 33 persona
Gazetari – Sa anëtarë ka Këshilli?
Juristi – Këshilli ka 31 anëtarë, ku do të jetë i përfshirë nga këta 33 persona edhe konsulli i nderit i Hungarisë që do shkojnë në Budapest. Është për 3 ditë.
Gazetari – Për 3 ditë?
Juristi – Po, se do të llogaritet dita e nisjes. Unë jam përgjegjës për prokurimin. Idea është që ka ardhur një ftesë nga Hungaria, por ngaqë ne nuk kemi linja direkte, linjat direkte janë një herë në javë. Duke qenë se nuk kena një fond të tillë dhe nuk ka arsye që një udhëtim i këshilltarëve të zgjasi 1 javë, atëherë kena gjet një linjë transporti me transit.
Gazetari – Me transit Beogradin?
Juristi – Po.
Gazetari – Po 1 natë do rrinë në Beograd?
Juristi – Po. Nga Beogradi do të shkojnë me autobus në Budapest, duke parashikuar 1 ndalesë aty.
Gazetari – Guidë në dispozicion për prezantimin e vendeve që vizitohen.
Juristi – Sipas axhendës.
Gazetari – Sipas axhendës.
Juristi – Një person që e përballon firma ofertuese, dmth që është staf i firmës ofertuese.
Gazetari – Që të ketë njohuri për Budapestin, apo jo? Apo edhe për Podgoricën dhe Beogradin?
Juristi – Për gjithë këtë pjesën që do vizitohet dmth. Nga Beogradi deri në Budapest. Nëse do ketë 2-3 ndalesa, do të ketë 1 person që do t’i shpjegojë këto.
Gazetari – Fondi nga ka ardhur? I thonë 15 milionë lekë… S’kishte punë të tjera Bashkia?
Juristi – Këtë nuk e di, është kompetencë e Këshillit.
Gazetari – Po pra.
Juristi – Se ata miratojnë një buxhet dhe kjo është marrë nga buxheti.
Gazetari – Nga buxheti i këtij viti i Bashkisë së Malësisë së Madhe.
Juristi – Po, sigurisht.

Bisedë me Sekretarin e Këshillit
Sekretari i Këshillit – Ka ardhur ftesa nga konsulli i Hungarisë.
Gazetari – Konsulli i Hungarisë?!
Sekretari i Këshillit – Për shkëmbim eksperiencash. Ka ardhur ftesa, do shkojmë. Në buxhet është miratuar ajo shumë lekësh.
Gazetari – Janë gati 15 milionë lekë.
Sekretari i Këshillit – Po. Po aq i bjen se nuk kishte më pak, se aty kishte 1 ditë në javë.
Gazetari – Ka një itinerar, se këtu (në dokumente) thotë se ka një guidë në dispozicion për prezantimin e vendeve që vizitohen. Krahas asaj, do shkohet edhe në vendet historike.
Sekretari i Këshillit – Po është pjesë e paketës edhe ajo, e ka kompania.
Gazetari – Është pothuajse paketë turistike i bie?
Sekretari i Këshillit – Turistike s’është, se është thjesht… Në shkojmë atje… Ne duhet na sqaru dikush se ça janë këto, se për atë punë po shkojmë.
Gazetari – Do vinë të gjithë…
Sekretari i Këshillit – Të gjithë këshilltarët.
Gazetari – Të gjithë këshilltarët, të majtë, të djathtë, PS-së, PD-së, LSI-së, ça ka PDIU?!
Sekretari i Këshillit – Pa përjashtim, pa përjashtim.
Gazetari – Kur do bëhet ky udhëtimi?
Sekretari i Këshillit – Tani në procedura janë, nuk e di sesa fiks data.
Gazetari – Po ftesa nuk është bërë që të mbulohen të gjitha shpenzimet, nga konsulli hungarez? Pse është kjo shjmë 15 milionë lekë?
Sekretari i Këshillit – Ky fond është, këshilltarët e kanë miratuar vetë.
Gazetari – Dmth, janë të gjitha shpenzimet, edhe 3 vakte ngrënie thotë (dokumenti).
Sekretari i Këshillit – Nuk janë 3 vakte, s’ka shans. Mund të jetë lapsus, s’ka shans.
Gazetari – 3 vakte ngrënie, 2 vakte ngrënie. Siguracion i shëndetit… I thonë me 3 vakte.
Sekretari i Këshillit – 2 vakte janë, s’ka 3.
Gazetari – Këto janë dokumentet standarte të tenderit.
Sekretari i Këshillit – Mund të jenë lapsus, s’ka shanse.
Gazetari – Ditën e parë keni vetëm 2 vakte!

Bisedë me kreun e Këshillit Bashkiak, Ilir Halaj
Kreu i Këshillit – Kena pas ftesë në Budapest, janë disa këshilla bashkiakë në rajon aty. Kena pas ftesë dhe unë atë ftesë e kam nxit në propozim në Këshill dhe kanë vendosur të gjithë këshilltarët me shku dhe kaq. Te procedura, te buxheti kemi miratuar një fond limit sa mund të shkojnë ato.
Gazetari – Fondi është 15 milionë lekë të vjetra.
Kreu i Këshillit – Nuk e di sa, tek. E di që është shkëmbim eksperiencash. 31 këshilltarë s’mundet me pas qenë aty kur është hedh votimi. S’mundet me pas qenë 31, po kan kën 22, 23.
Gazetari – Kanë qenë dakort edhe anëtarët e PS-së, PD-së, LSI-së, të gjithë?
Kreu i Këshillit – Të gjithë, të gjithë anëtarët. Të gjithë i kanë konfirmuar. Po e di që janë thirrur të gjithë këshilltarët dhe jam thirrur dhe unë do vish dhe do shkoj.
Gazetari – Për udhëtime asnjëri nuk ka thënë jo?
Kreu i Këshillit – Jo, për udhëtime asnjëri, asnjëri. Dhe është vendim i Këshillit, s’ka punë bashkia hiç.
Gazetari – Tenderi është berë me emrin e kryetarit të bashkisë.
Kreu i Këshillit – Kur është ndarë buxheti janë lënë X lekë për këtë gja.
Gazetari – Të ardhurat që po përdoren, 15 milionë lekë të vjetra për kët ëudhëtim 3 ditor dhe 2 net, janë të ardhura të bashkisë apo të këshillit?
Kreu i Këshillit – Po janë nga buxheti i shtetit. Unë 70 mijë lekë kam rrogë si kryetar i këshillit. Me propozim të të gjithë këshilltarëve kan pas dëshirë me pas një eksperiencë të tillë.

Bisedë me kreun e PD-së në Këshill, Gjovalin Vreshtaj
Kreu i PD-së në Këshill – Në mbledhjen që kena pas, ne na kanë thënë që kena një ftesë për binjakëzim nga një komunë në Bruksel, në Belgjikë. Nuk është lënë as po, as jo. Sot më kanë marrë me prurë pashaportën. Unë u kam thënë jo për vetin dhe unë e di se edhe të djathtit, aq sa kan mbet, nuk janë. Se në buxhet nuk është miratuar për atë punë. Këshillat Bashkiakë, por edhe Komunat, për udhëtime turistike, nuk u lejohet, s’ka ligj. Në rast se ata e kanë devijuar zanin kur e kanë çuar në Prefekturë për të marrë ligjshmërinë, është tjetër. Ne nuk e kemi miratue. Aty e qitun në votë nuk është.
Gazetari – Çfarë ishte kjo ftesa në Bruksel?
Kreu i PD-së në Këshill – Ajo për binjakëzim, gjoja mes një komune atje. Ne nuk na është thënë as emri, asgjë. Na kanë bërë një ftesë dhe do shkojmë nga marsi.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel