Qarkullimi i automjeteve nga aksi kombëtar Tiranë – Gjirokastër është devijuar këtë të mërkurë në qendër të Tepelenës, për shkak të punimeve për bypass-in e jugut.

Investimi për ndërtimin e bypass-it të Tepelenës po shkakton probleme për banorët e të paktën 4 fshatrave që lidhen me qytetin duke përdorur pasarelën historike të Ali Pashës mbi lumin Vjosë.

Banorët thonë se bashkia duhet të marrë masa për të shmangur rrezikshmërinë e dyfishtë prej pasarelës së dëmtuar dhe rrezikut të shembjes së gurëve prej skarpatit anësor të rrugës në ndërtim.

Investimi strategjik përveçse e zgjati distancën e këtyre banorëve me qytetin rrezikon nxënësit e shkollave dhe mbi 200 banorë që e përshkojnë atë çdo ditë.

Kur të përfundojë, bypass-i i Tepelenës do të lehtësojë qarkullimin në njërën prej nyjeve më të rëndësishme në vend. Aksi me përdorim maksimal sidomos prej biznesit pritet të lehtësojë qarkullimin por ekspertët mendojnë se do të ndikojë edhe ekonominë e zonës.

Gjatë periudhës kur qarkullimi do të devijohet brenda Tepelenës autoritetet kanë kërkuar që mjetet e mëdha të transportit të përdorin përkohësisht akse alternative.

Top Channel