Një 27-vjeçar nga Tirana është proceduar penalisht në kuadër të kontrolleve kundër lojërave të fatit.

Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 3, proceduan në gjëndje të lirë shtetasin: – F. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë, si dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 tavolinë pokeri.

Në rrugën “Myslym Shyri” gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi u gjet një tavolinë pokeri e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun Tiranë deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme.

Ndërkohë në Berat, Specialistët e Seksionit për Krimet proceduan penalisht shtetasin A.Z., 47 vjeç, banues në Poliçan, pasi në subjektin “Bar-Kafe” ushtronte aktivitet pa kasë fiskale dhe lojëra fati (lloto sporti). Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një laptop.

Në Elbasan, Policia procedoi penalisht pronarët e një subjekti shtetasit I.Ç., 38 vjeç dhe G.Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Vidhas, Elbasan, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tyre ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Top Channel