Kopertinat e reja në “Vitrinën e libritt”.

TIRANA 11 Shkurt 1920 – Kryeqytet i Shqipërisë

Prof. dr. Kaliopi Naska & Andriola Kambo

Më 11 shkurt, Tirana kryeqytet festoi 99 vjetorin e ditëlindjes së saj. Rrugëtimi ndërvite e përmes ngjarjeve të pafund e të natyrave nga më të ndryshmet, të ngjarjeve të mëdha e kthesave historike e ka sjellë Tiranën në pamjen e statusin që ka sot. Historia e këtyre gati 100 viteve ka vendosur vulën e saj kudo nëpër Tiranë. Për ta njohur këtë histori të kryeqytetit të shënuar e të dokumentuar nga historianë e intelektualë si dhe nga qytetarë autoktonë tiranas mjafton që të ravijëzohen disa nga momentet kryesore të saj. Albumi studimor i ilustruar “Tirana 11 Shkurt 1920 – Kryeqytet i Shqipërisë” (Trajtesë, dokumente dhe ceremoni festive) me autore Prof. dr. Kaliopi Naska dhe Andriola Kambo i është kushtuar kremtimit të 96 vjetorit të caktimit të Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë. Ai përmes një studimi të mbështetur në dokumente dhe foto, sjell dëshmi historike mbi rrugëtimin patriotik historik të caktimit të kryeqytetit të Shqipërisë.

Tre ujqit e vegjël

Evjenios Trivizas

Përktheu: Romeo Çollaku

Na ishin njëherë e një kohë tre ujq të vegjël, që donin të ndërtonin një shtëpi.Por Runi-Runi, derri i keq dhe dinak, kishte bërë plane të tjera me mendjen e tij… Ky libër vjen me ilustrimet fantastike të Helen Oxenbury. Një libër me të vërtetë plot humor, që i referohet përrallës së njohur “Tre derrkucët”. Tashmë, rolet janë ndërruar, ujku s’është më i ligu i përrallave dhe as derrkuci aq i mirë sa herët e tjera. Tre ujq, tashmë në moshën për të jetuar më vete, duan të ndërtojnë shtëpizën e tyre, mirëpo mëma i paralajmëron që të ruhen nga derri i keq dhe dinak, Runi-Runi. Si në përrallën klasike, ujqit e vegjël, përpiqen tri herë të ndërtojnë një shtëpi të fortë, por për çdo herë, derri i keq ua shkatërron atë. E megjithatë ata do të gjejnë një rrugëdalje, një zgjidhje surprizuese dhe të këndshme. Ndoshta fëmijët, që njohin historinë e vjetër, mund të çuditen dhe të pyesin “Po derrat nuk janë të fortë si ujqit. Si mund të jetë i rrezikshëm Runi-Runi?” Derri i madh dhe i keq personifikon njeriun e djallëzuar, personazhin që përpiqet, pa asnjë arsye të dukshme, të shkatërrojë e të prishë harenë. Në këtë metaforë, derri është përdorur si përfaqësues i errësirës që struket shpesh në shpirtin e njeriut, duke na kujtuar vagëllimthi “Fermën e kafshëve” të Oruellit. “Tre ujqit e vegjël” qe një nga librat më të shitur në Sh.B.A. dhe fitoi një sërë çmimesh dhe vlerësimesh letrare. Ai u shpall si një nga librat më të vlerësuar nga Shoqata e Librarëve Amerikanë (ALA Notable Book), libri më i mirë i Revistës së Bibliotekave Shkollore (School Library Journal) dhe fitoi çmimin e artë të përzgjedhjes së prindërve (Parents’ Choice Gold Award). Kjo vërtet është një përrallë për fëmijë të moshës 5-9 vjeç, por edhe të rriturit mund të nxjerrim mësimet e tyre nga historia e tre ujqve të vegjël.

Është cilësuar nga kritika si një nga librat më zbavitës të vitit. Një libër krejtësisht i veçantë me ilustrime, që do të kënaqë gjithë familjen. “…fëmijët do të shkrihen gazit qysh në fillim”, shprehet Kirkus Reviews.  “Çdo faqe është plot me nota komike”,  vazhdon më tej, The Times.

Top Channel