Është koha për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, pohon Aleksandar Vuçiç, por presidenti serb mendon se kjo do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Vuçiç foli për Bloomberg nga konferenca e sigurisë në Mynih, ku përmendi krahasimet me zhvillimet në Maqedoni.

Pasi Athina dhe Shkupi arritën t’i japin fund mosmarrëveshjeve 27 vjeçare të emrit, presioni ndërkombëtar tani po spostohet tek Vuçiç për vulosjen e një pakti me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

kreu i shtetit serb, thotë se është e lehtë të hiqen paralele, por që kjo të realizohet vërtet, do të jetë sipas tij “më keq se ferri”.

Edhe një herë ai sqaroi se më së pari duhet të hiqet taksa e Kosovës, dhe çdo ujdi duhet të përfshijë lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Ndërkohe Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, thotë se forcat e mëdha e kanë një plan B e nëse nuk arrihet marrëveshja Prishtinë-Beograd, do të shkohet drejt një destabilizimi serioz të situates.

“Që nga vrasja e Oliver Ivanovicit, – ka thënë analisti serb, – kemi të gjitha sinjalet se bëhet fjalë për një paqendrueshmëri të rëndë politike në Kosovë, Serbi e Ballkanin Perëndimor”.

Janjic mendon se ka elemente të përgatitjes në heshtje edhe për ato që i cilësoi “konflikte të qeta të armatosura”.

Haradinaj ndërkohë, të cilin këmbëngulja për të mos hequr taksën e ka vendosur në kurs përplasjeje me SHBA-në, shtroi mëngjes për delegacionin amerikan që ka vizituar Kosovën me rastin e 11 vjetorit të Pavaresisë dhe e quajti “një bekim” miqësinë e Shteteve të Bashkuara.

Top Channel