Vendimi politik i Partisë Demokratike për djegien e mandateve të deputetëve të saj në Kuvendin e Shqipërisë është kryetema e politikës vendore që do të dominojë këtë javë. Për këtë u fol edhe në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, ku i ftuar këtë të hënë ishte konstitucionalisti, eksperti i së drejtës kushtetuese dhe nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba.

Ky qëndrim prodhon në pikëpamjen politike një vendim me pasoja, siç është ai i Reformës Zgjedhore. Nëse demokratët nuk janë në Parlament, nuk mund të jenë pjesë e kësaj reforme të rëndësishme, për sa kohë që ata kanë kushtëzuar praninë e tyre tanimë me Ramën kryeministër. Por, a mund të kemi edhe një bllokim të zgjedhjeve, nëse demokratët nuk shkojnë në zgjedhje?

“Po ne e kemi një Kod Zgjedhor. Ndërkohë, fjalia e parë (apo e dytë) e çdo raporti të OSBE-ODIHR-it në lidhje me çfarëdolloj zgjedhjesh, të paktën nga viti 2013 e këtej, është: Shqipëria ka një legjislacion, i cili mundëson zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, nga aspekti teknik, Kodi aktual mundëson, edhe pse nuk është perfekt dhe le hapësira për cënime, zgjedhjet e lira dhe të ndershme edhe kështu sikundër është”, theksoi Denar Biba.

Supozojmë se Partia Demokratike vendos të mos hyjë në zgjedhje, të paktën kështu do të jetë derisa të merret një vendim tjetër politik. A është ky proces normal dhe i certifikueshëm nga pikëpamja juridike, kushtetuese?

“Partia Demokratike nuk është një forcë çfarëdo, por është opozita e vendit dhe opozita është pushtet. Demokracia, – ajo që është dhe me defektet e veta, por që siç thotë Churchill ‘është sistemi më i mirë që ne dimë të bëjmë, sepse përndryshe do të kishim diktaturë’, – ka vendosur që vota popullore, e menduar apo jo, inteligjente apo jo, ia jep pushtetin një grupi të caktuar që formon shumicën. Por, për të mos e lënë pakicën pa një pushtet të vetin, i jepet pushteti i opozitës parlamentare, e cila ushtrohet në Parlament dhe përmes tij i bëhen kritika të vazhdueshme shumicës, duke marrë edhe kohë televizive etj., e sigurisht duke mundësuar ligjet shumë të rëndësishme me 3/5-tat. Pra i ka dhënë një moment kontrolli, që shumicat të mos kenë eksese të pushtetit. Duke i munguar jetës politike të vendit, duke mos marrë pjesë në zgjedhje, patjetër që Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës në vend dhe si partia e parë e pluralizmit dhe demokracisë pas viteve ’90, patjetër që e cënon procesin, por formalisht procesi vijon. Në fund të fundit, më i rëndësishëm nga cilido nga ne, se cilado forcë politike është vijimësia institucionale dhe demokracia në vend. Mund të ndodhë që, për çfarëdolloj arsyesh, një parti edhe të zhduket, si në Greqi a gjetkë, por demokracia ka vijuar. Forca të reja një ditë do të dalin”, deklaroi Denar Biba.

Top Channel