“A nuk do të ishte mirë që, sikurse kryeministrat e Maqedonisë Veriore dhe Greqisë këtë vit, vitin e ardhshëm të nderoheni me çmimin e Konferencës së Mynihut pirkërisht ju”, konstatoi moderatori i Konferencës së Sigurisë në Mynih, ish-ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger, në përfundim të debatit mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

Dëshira për marrëveshje ekziston dhe kjo u theksua edhe nga Thaçi, edhe nga Vuçiç. Të dy ata do të donin që marrëveshja të arrihej brenda këtij viti dhe të finalizohej me një kompromis. Por, megjithatë, debati në Mynih tregoi se palët janë ende larg.

“Ky dialog nuk është për ne dialog, për BE-në apo SHBA-në. Por, për qytetarët e këtyre vendeve. Nëse punojmë fort, mund të arrijmë marrëveshje. Por, sot jemi shumë larg marrëveshjes”, tha Vuçiç.

Debati u ashpërsua në momentin kur Thaçi tha se “në Serbi askush nuk është dënuar për krimet që serbët kanë kryer ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë luftës së fundit”.

“Kush është dënuar për mbi 13000 kosovarët e vrarë nga serbët në luftën e fundit? Kush ëshë denuar për rreth 400 masakra dhe për përdhunimin e mbi 20 000 femrave shqiptare? Askush. Kosova është viktima e madhe e këtij konflikti, e cila është përballur me spastrim etnik”, u shpreh Thaçi.

Në ndërhyrjen e tij, Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn tha se “marrëveshja finale ndërmjet dy shteteve duhet të jetë një marrëveshje ku fitojnë të dyja palët”.

Sipas tij, ky është momenti për të arritur marrëveshjen finale dhe ky moment nuk duhet të humbasë.

Top Channel