Avionë ushtarakë amerikanë janë parë të ulen në qytetin kolumbian Cucuta, në kufi me Venezuelën, me objektiv shpërndarjen e ndihmave humanitare për vendin e kapluar nga kriza ekonomike e politike.

Ndihmat janë duke u magazinuar në Kolumbi me kërkesë të udhëheqësit të opozitës venezuelase, Juan Guaido, i cili e shpalli veten president të përkohshëm të vendit muajin e kaluar.

Presidenti Nicolas Maduro pretendon se, ndihmat janë pjesë e një komploti amerikan për të justifikuar një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë.

Guaido tha se rreth 600 mijë vullnetarë venezuelas do të transportojnë ndihmat përgjatë kufirit më 23 shkurt.

“Do të mobilizohemi brenda dhe jashtë kufijve, – tha ai në një mesazh në Tëitter gjatë së shtunës. – Beteja jonë vazhdon të japë fryte”.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë sesi këto ndihma do të lejohen të futen në Venezuelë.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Cucuta, administratori i USAID, Mark Green tha se ndihmat ishin kërkuar nga Guaido, sepse Venezuela ishte në kthetrat e një krize gjithnjë e në rritje humanitare.

“Fëmijët po shihen gjithnjë e më shumë në gjendje urie, ndërsa thuajse çdo spital në Venezuelë po përballet me mungesa tejet serioze në barna”, tha ai.

Sipas tij, kriza ka arritur përmasa rajonale, saqë rreth 3 milionë venezuelas kanë emigruar në vendet fqinje, në kërkim të ushqimit dhe ilaçeve.

Top Channel