Fundjava e “All Stars” në NBA, spektakël në garën e aftësive teknike

17/02/2019 11:47

Basketbolli amerikan është një sport që dhuron spektakël në çdo moment. Kjo vihet re gjatë ndeshjeve të kampionatit të NBA, por më shumë në fundjavën e dedikuar “All Star Game”.

Pas sfidës së “Rising Star Challenge”, ku në parket zbritën debutuesit dhe lojtarët që luajnë sezonin e dytë në NBA, u erdhi radha garës së aftësive individuale.

Në parket u shfaqën specialistët e zhytjeve, të gjuajtjeve nga distanca dhe driblimeve, që matën forcat me njëri-tjetrin, e protagonistët nuk zhgënjyen aspak teksa shfaqën të gjithë talentin e tyre.

Gjithçka nisi me garën e “aftësive teknike”, ku u përballën basketbollistët më teknikë e të kompletuar të NBA, e këtu përmendim emra të tillë di Fox, Kuzma, Donçiç, Young apo Tatum. Ishte pikërisht ky i fundit, ai që arriti të fitojë duke shënuar një kosh nga gjysma e fushës.

Surpriza e mbrëmjes ishte në garën e gjuajtjeve nga distanca e 3 pikëve, ku favoriti absolut ishte Stephen Curry. Në të vërtetë, këtë garë nuk e fitoi basketbollisti i Golden State, por ai i Brooklyn, Harris, që në finale u tregua më i saktë sesa Hield dhe vet Curry.

Por, spektakli më i madh u pa në garën e zhytjeve, ku ai që fitoi ishte Diallo, që në fund të konkurrimit mori 50 pikë, që është edhe kuota maksimale e pikëve që akordohen në këtë garë. Momenti që i dha të drejtën e kësaj fitoreje ishte kur shënoi një kosh me zhytje, teksa kapërcente një gjigant si Shaquille O’Neal.

Top Channel