Vijojnë që prej 30 Marsit të vitit të kaluar, protestat e të premtes në Bregun Perëndimor, në kufirin mes Izraelit dhe Palestinës, teksa këtë javë kanë marrë pjesë rreth 11 mijë protestues, sipas autoriteteve izraelite.

Javën e kaluar pjesëmarrja ishte më e ulët, por pasojat katastrofike, pasi u regjistruan 3 viktima dhe 17 të plagosur rëndë mes protestuesve palestinezë, që u përballën me reagimin e ushtrisë izraelite.

Burime mjekësore palestineze flasin këtë herë për një bilanc prej 4 personash të plagosur, dy prej të cilëve adoleshentë, të cilët po marrin mjekimin në qendrat spitalore.

Nga ana tjetër, Ushtria e Izraelit pranoi shifrat dhe shpjegoi sërish se reagimi ishte i detyruar, pasi ndaj tyre protestuesit kishin qëlluar me bomba molotov dhe goma të ndezura, ndërsa asnjë ushtar nuk kishte mbetur i plagosur.

Në një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lëshuar në muajin janar të këtij viti, thuhet se nga protestat e të premteve në Bregun Perëndimor janë vrarë 254 palestinezë dhe plagosur mbi 23 mijë të tjerë, bilanc ky që është rënduar edhe më gjatë javëve të fundit.

Top Channel