Ndalohet gjyqtari i Dajtit. Kontroll në banesat e Daminit, Nikollit dhe Aliajt. Gjenden para’ dhe municione

15/02/2019 12:51

Në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Sarandë, Policia e Shtetit që prej mëngjesit ka zhvilluar aksione në banesat e 3 gjyqtarëve që zbutën dënimin me burg të përjetshëm për Dritan Dajtin.

Këto kontrolle ushtrohen në vijim të hetimeve të nisura ndaj treshes së gjyqtarëve të dyshuar për korrupsion: Petrit Aliaj, Skënder Damini dhe Aleks Nikolli.

Janë kontrolluar banesa e Petrit Aliajt në Sarandë, dy banesat e gjyqtarit të Apelit Vlorë, Skënder Damini (një në Vlorë dhe një në Farkë) dhe banesa e Aleks Nikollit në Lezhë.

Nga kontrollet në banesat e Aliajt dhe Nikollës nuk ka konfirmim nëse janë gjetur sende të ndaluara apo shuma parash të pajustifikuara. Por, konfirmohet se në banesën e Daminit në Farkë janë gjetur 17 000 euro dhe municione.

Për këtë arsye, Skënder Damini, i cili ishte në shtëpi gjatë kontrollit, u shoqërua në Policinë e Tiranës.

Pasi doli nga banesa u pyet nga Top Channel, por nuk pati komente.

Top Channel