Luhen sot në mbrëmje ndeshjet e para të fazës së 1/16 të finaleve të Europa League.

Një prej sfidave që tërheq vëmendjen është ajo mes Lazios dhe Sevilla, një sfidë kjo që është paraprirë nga një episod i shëmtuar në mbrëmjen e së mërkurës. Në rrugët e Romës pati përplasje mes tifozëve të të dyja skuadrave, ku disa persona mbetën të plagosur pasi u goditën me thikë.

Dy prej këtyre të plagosurve u dërguan në spital në gjendje të rëndë.

Duke u kthyer te ndeshja, kjo e sotmja do të jetë hera e parë që Lazio e Sevilla përballen mes tyre në evenimentet evropiane edhe pse marrin pjesë rregullisht në to. Lazio nuk ka asnjë mungesë për sfidën me andaluzianët, ndërsa te Sevilla mungon Wober i pezulluar.

Interi do të luajë me Rapidin e Vjenës dhe situata te zikaltrit është e turbulluar për shkak të çështjes Icardi që arriti kulmin me heqjen e shiritit të kapitenit argjentinasit.

Në fushën e lojës do të zbresin edhe dy skuadrat angleze, Arsenal e Chelsea. “Topçinjtë” do të përballen me BATE Borisov, një skuadër me të cilën janë ndeshur 2 herë sezonin e kaluar në fazën e grupeve duke i fituar që të dyja. Ndërsa Chelsea do të luajë me Malmon, një sfidë kjo që ka shumë rëndësi sidomos për trajnerin Sarri, pozitat e të cilit në stolin e Bluve janë tronditur ndjeshëm.

Ndeshje të tjera që spikasin në këtë raund të 1/8 të finaleve janë ato mes Sporting Lisbon e Villarreal apo Zyrich-Napoli.

Top Channel