Futbollisti i West Hamit, Declan Rice vendosi të ndryshojë zgjedhjen e tij për të luajtur në nivel ndërkombëtar, duke kërkuar zyrtarisht një fanellë tek Anglia.

I lindur në Londër, por me prindër irlandezë, lojtari i talentuar u aktivizua për 3 ndeshje me Republikën e Irlandës, por tani ka telefonuar përzgjedhësin për ta njoftuar se do të ndryshojë himnin dhe flamurin, e këtë përmes një kërkese në FIFA.

Declan Rice, një mesfushor me tipare mbrojtëse, që vlerësohet të paktën 20 milionë Euro, ka luajtur 3 ndeshje me Irlandën, por për shkak se impenjimet e tij ndaj Turqisë, Francës dhe SHBA-ve ishin të gjitha miqësore, ka të drejtën të ndryshojë kombëtare, e kështu preferoi Anglinë.

Nën rregullat e FIFA-s, një lojtar mund të mos lejohet për të ndryshuar vetëm nëse luan në përballje zyrtare, por Declan Rice që ka luajtur me Irlandën në të gjitha përfaqësueset e moshave, u aktivizua me kombëtaren A vetëm në miqësore.

Vendimi i tij u prit me polemika dhe ofendime nga tifozët. Një kërkesë të ngjashme së fundmi ka prezantuar edhe talenti shqiptar Florent Hadërgjonaj. Mbrojtësi i djathtë i Huddersfieldit ka dorëzuar në FIFA një dosje për të ndryshuar fanellën nga ajo zvicerane, në përfaqësuesen e Kosovës, duke nisur nga muaji i ardhshëm.

Top Channel