Skuadra e Tomorrit të Beratit ka kërcënuar me bojkot të kampionatit, pas vendimeve të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sipas këtij komisioni, Tomorri humbet në tavolinë ndeshjen e fituar nën dhunë e presion me shifrat 3-2, fundjavën e shkuar, gjithashtu dënohet me 4 ndeshje pa tifozë në stadium asnjanës, dy milionë lekë gjobë dhe dënimin me 8 javë pezullim të trajnerit Santiliano Dule, e ndihmësit të tij Arben Paja.

Arsyetimi i këtyre masave është dështimi në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjes, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve kundërshtarë.

Një ditë më pas ka reaguar klubi i Tomorrit, me zyrtarin e tij Alban Pambuku.

Ndërkohë, delegatët dhe arbitri i ndeshjes kanë përshkruar në raportet e tyre një presion përtej çdo limiti, nga trajneri i klubit të Tomorrit e njerëz të tjerë të paautorizuar, që kanë qenë në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes, duke shfrytëzuar edhe mungesën e policisë.

Aq të pakët ishin në numër forcat e sigurisë, sa edhe vet zyrtari i klubit ka qenë i pranishëm me jelek si forcë sigurie. Megjithatë, ditën e premte, drejtuesit e klubit të Beratit kanë vendosur të provojnë me Komisionin e Apelit për të shpëtuar diçka nga dënimi i marrë, përpara se të vendosin përfundimisht nëse do të shkojnë këtë fundjavë apo jo në Ballsh, për ndeshjen ndaj Bylisit.

Top Channel