“Top Story” udhëtoi për në qytetin e Bulqizës, për të sjellë në transmetim minierat e saj. Ata që shihni në video janë anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët kontrollojnë jetën politike dhe ekonomike të qytetit të kromit… Janë 21 burra dhe gra, këshilltarë të zgjedhur me votën e popullit.

Ky këshill ka një veçori tjetër, pasi tregon më së miri sesi është e lidhur politika me biznesin. Të paktën 11 këshilltarë nga 21, pra shumica, kanë licenca për ushtrimin e aktivitetit në galeritë e minierës së Bulqizës. Disa prej tyre janë administratorë të këtyre subjekteve minerare.

Pra, këtu shohim që këta këshilltarë bashkiakë kontrollojnë gjithçka dhe marrin vendime vetëm për të plotësuar interesat e tyre.

Nëse shohim kompozimin, kemi të bëjmë me një këshill mjaft heterogjen. 21 këshilltarët janë përfaqësues të plot 17 subjekteve politike.

Në Bulqizë janë të rralla familjet që nuk kanë një pjesëtar, apo një të afërm minator. E kur pronarët e tyre kandidojnë për anëtarë të Këshillit Bashkiak, është fare e lehtë të ushtrosh presion për të marrë votën.

E gjithë kjo skemë e zbardhur nga “Top Story” flet për një kontroll të pastër të biznesit të kromit, që gjeneron miliona euro.

Mes atyre që kanë shfrytëzuar galeri në minierë është edhe Mufit Duriçi, i cili ka 4 emra të ndryshëm. Përgjatë viteve 2013-2015, ai ka drejtuar Bashkinë e Bulqizës si përfaqësues i Partisë Socialiste, ndërsa sot është anëtar i Këshillit Bashkiak.

Duriçi është ndër biznesmenët më të mëdhenj të kromit. Ai pasoi në detyrë Roland Ketën, përfaqësues i Partisë Demokratike, i cili kishte lënë mandatin e kryebashkiakut për t’u bërë deputet në vitin 2013.

Edhe familjarët e Ketës, njësoj si Duriçi, janë të lidhur drejtpërdrejt në biznesin e kromit. Vëllai i tij, Eduart Keta është aksioner në të paktën 4 kompani që operojnë në minierën e Bulqizës.

Në një prej tyre është aksioner edhe këshilltari Ardian Hida, përfaqësues i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Ky i fundit është administrator edhe i kompanisë “Klevi Bris” që shfrytëzon disa galeri të tjera.

Mes këshilltarëve që ushtrojnë aktivitet në galeritë e kromit është edhe përfaqësuesi i Partisë së të Drejtave të Mohuara, Rrahim Dedja, administrator i kompanisë “Brisel”. Kjo kompani rezulton e dyta më e madhe në sektorin e kromit në Bulqizë për nga prodhimi, pas koncesionarit “Albchrome”, me rreth 30 mijë tonë në vit.

Lulzim Viçishta është një tjetër këshilltar i zgjedhur nën siglën e partisë “G-99” në vitin 2015, por kjo nuk e pengoi të ndërronte parti në vitin 2017. Ai kandidoi për deputet në partinë çame të Shpëtim Idrizit, por nuk arriti të fitonte. Megjithatë, ai sot është këshilltar i çamëve dhe gjithashtu vijon të jetë pronar i disa galerive të kromit në Bulqizë.

Një tjetër emër i njohur në këtë biznes fitimprurës, i cili njëkohësisht është edhe anëtar këshilli, është Edmond Isaku, nënkryetar i degës së PD-së në Bulqizë. Ai zotëron dy kompani për shfrytëzim të mineralit të kromit.

E gjithë kjo mpleksje interesash shpjegon qartë se, përse “Statusi i minatorit” mbahet peng. “Biznesi bën punën e vet, politika bën punën e vet”, shprehet një banor i Bulqizës.

Edhe pse të mashtruar, minatorët ende nuk e kanë humbur shpresën për miratimin e statusit, që do të sillte trajtim më të mirë financiar, shëndetësor falas, ulje të moshës së daljes në pension, si dhe rritje pensioni.

Top Channel