Një seri atentatesh me vrasje të porositura janë kryer përgjatë këtyre viteve, mes biznesmenëve të kromit.

E fundit në radhë është vrasja e biznesmenit 35-vjeçar, Gjin Nika, në prill të vitit 2014. Ai vritet me breshëri kallashnikovi pranë urës së Tapizës, në Fushë-Krujë, së bashku me mikun e tij, Fabio Xhunga, teksa udhëtonin me një motor.

Nika njihej si “i fortë i zonës” dhe dyshohej për disa vrasje për konfliktet në biznesin e kromit. Ai ishte arrestuar për ekzekutimin e biznesmenit tjetër të kromit, Hasan Talja, por ishte liruar për mungesë provash.

Ky i fundit u vra në një pritë në zonën e “Tregut elektrik” në Tiranë. Në vitin 2013, në një pikë servisi në periferi të Bulqizës mbeti i vrarë me armë zjarri edhe biznesmeni tjetër i kromit, Qerim Marku. Edhe për këtë ngjarje, i dyshuar ishte biznesmeni që do të ekzekutohej një vit më pas, Gjin Nika.

Po në vitin 2013, në muajin prill, në Bulqizë do të vritej biznesmeni 40-vjeçar, Shefqet Shehu, ndërsa do të plagosej vëllai i tij, Vehab Shehu. Ata ushtronin aktivitetin e tyre në “Zonën D” të minierës.

Vitet e fundit, nëpërmjet një ligji që ka hyrë në fuqi nga Qeveria “Rama” për zhdukjen e parcelizimit, numri i krimeve duket se është shuar. Megjithatë, hasmëritë mes familjeve janë ende të hapura.

Top Channel