Mirditorët i kërkuan Edi Ramës të reagojë mbi vendimin e gjykatësve të Krimeve të Rënda, që pranuan gjykimin e shkurtuar ndaj Dritan Dajtit për vrasjen e 4 policëve, duke e shpëtuar atë nga burgimi i përjetshëm.

“Gjykimi për atë kriminelin, që vrau 4 policët, nuk ka të bëjë me ligjin, por me njerëz të ligj dhe të korruptuar, të cilët duke parë se i ka ardhur fundi sistemit të drejtësisë, i bien me top. Këta, jo vetëm i ranë me top, por kryen një akt kriminal, sepse praktikisht i rivranë policët”, tha Rama.

Rama tha se, shpresonte të arrinte zhbërjen e atij vendimi, ndërsa – pa e përmendur asnjëherë me emër, – mohoi akuzat për miqësi me Dritan Dajtin.

“Drejtësinë e drejtë e kanë penguar gjyqtarë si këta dhe politikanë si ai zorzopi, që vrasësin e bën mikun tim, ndërkohë në raportet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara thuhet se ishte i lidhur me njeriun më të afërt të këtij zorzopit, Saliun”, tha Rama.

Një mesazh e kishte edhe për demokratët. Duke komentuar përbetimet e Lulzim Bashës për “asnjë marrëveshje tjetër”, Rama tha se kryedemokrati kërkonte përsëri të bëhej pjesë e Qeverisë.

“Aq shumë do të më takojë, sa betohet atje në Krujë ‘kurrë më’! Ai do të jenë sa më shumë, që të më thotë mua ‘e shef sa shumë janë, me tako, më fut në Qeveri’, se tani s’kanë as çadër”, tha Rama.

Rama vlerësoi punën e Ndrec Dedës në krye të Bashkisë së Mirditës, ndërsa mirditorët i kërkuan që kryetari të qëndronte në territor e të mos drejtonte nga Tirana me telekomandë.

Top Channel