Çështja e oficerit të policisë, i cili përndiqte dhe i dërgonte video turpi një 15-vjeçareje në Malësinë e Madhe, ishte tema e diskutimit në pjesën e parë të emisionit ‘Top Show”.

I ftuar në panel ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili denoncoi lidhjet politike të efektivit Bajrakurti, pasi ky i fundit ishte përjashtuar më herët nga Policia e Shtetit, por ishte rikthyer pasi kishte shërbyer si komisioner i PS-së në zgjedhje.

“Bajrakurti ka një precedent seksual edhe para vitit 2013, ndaj edhe ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit. Më pas ai shërbeu si komisioner i Partisë Socialiste në zgjedhje dhe u rikthye në polici. Kur je partiak, ti nuk mund të jesh në Policinë e Shtetit, pasi vijmë te situata kur një 15-vjeçare shkon dhe denoncon, por denoncimi nuk merret sepse efektivi i policisë ka lidhje të forta politike”, tha Salianji.

Deputeti i Partisë Demokratike zbuloi në emisionin Top Show se efektivi Bajrakurti nuk e ka rastin e parë këtë me 15-vjeçaren, pasi regjistrimi i videove dhe përdorimi i tyre për shantazh më pas, duket se është një rast i përsëritur për të.

“Policët më kanë sjellë edhe video të tjera të këtij oficeri. Ky person e ka ves xhirimin e videove, pasi ka edhe regjistrime me gra të tjera. Bajrakurti i regjistronte vetë videot, në sy të viktimave dhe më pas i përdorte ato për shantazh. Ka denoncime për këtë rast, por policia e shtetit nuk i merr si provë”, deklaroi deputeti i PD-së.

Top Channel