Renault u bë skuadra e katërt në kampionatin e Formulës 1 që prezanton njëvendëshen e re, me të cilën shpreson se do t’iu rikthehet kohëve të lavdishme dhe sukseseve.

Pas ekipeve Haas, Toro Rosso dhe Williams, francezët u renditën të katërtit në hierarkinë e ceremonive, një status që shpresojnë ta përmirësojnë kur të nisë grumbullimi i pikëve në mars.

Makina e re “RS19”, e cila u prezantua në selinë e skuadrës në Enston, ka ndryshime të mëdha krahasuar me sezonin e kaluar. Drejtuesit kanë bërë të ditur se do të synojnë podiumin, edhe pse Ferrari e Mercedesi ofrojnë një rivalitet të ashpër, që nuk do t’i lejojë të mendojnë titullin.

Tri vite më parë, ish-presidenti Carlos Ghons, që aktualisht është i arrestuar në Japoni për evazion fiskal, kishte kërkuar suksesin brenda vitit 2019. Në sezonet e kaluara, Renault nuk ia doli të linte shenjë, por rritja në pikë dhe paraqitje ishte e dukshme në Formulën 1.

Top Channel