Kryeministri Edi Rama ishte në maternitetin “Koço Gliozheni” për t’i dorëzuar çekun e bebes një nëne që kishte sjellë në jetë trinjakët e parë për këtë vit në Shqipëri.

Fëmija e parë shpërblehet me 40 mijë lekë të reja, i dyti me 80 mijë lekë, ndërsa i treti me 120 mijë lekë të reja. Binjakët trajtohen si fëmijë të dytë, ndërsa kryeministri sqaroi se në rastin e trinjakëve, të tre fëmijët përfitojnë 1 milion e 200 mijë lekë të vjetra secili.

“Me këtë rast sqaruam atë pyetjen e famshme, “si është bonusi kur janë tre?” Kështu që, kur janë tre, të gjithë marrin si për të tretin, 1.2 milionë lekë. Kanë ardhur me duart plot,” u shpreh kryeministri Rama.

Me këtë rast, Rama uroi edhe një tjetër nënë që kishte sjellë në jetë fëmijën e pestë.

Nga 1 janari i këtij viti, 2200 bebe kanë përfituar bonusin e ardhjes në jetë ndërsa regjistrimi i fëmijës së porsalindur bëhet në sportelet e gjendjes civile që gjenden në 37 maternitete të vendit.

Top Channel