Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Policia e Vlorës janë përfshirë në një operacion të gjerë antidrogë për të arrestuar disa persona të dyshuar si trafikantë droge që kërkohen nga shteti italian.

Operacioni antidrogë është zhvilluar njëkohësisht në dy shtete: Shqipëri dhe Itali.

Përveç RENEA-s dhe grupit të operacioneve speciale, në Vlorë ishin dhe agjentë të Guardia di Finanza.

Gjatë operacionit në Vlorë u ndaluan 6 persona: Luka Beqiraj, Bilbil Kabello, Arbnor Hoxhaj, Denis Pashaj, Kujtim Elmazi dhe Kristian Llanaj. Prokurorë të çështjes janë caktuar Pranvera Hoxha dhe Përparim Kulluri.

Ndërkohë në Itali operacioni “Lulet e pranverës” ka vënë në pranga 27 persona. Siç raportojne mediat italiane që nga orët e para të mëngjesit më shumë se 100 karabinierë të komandës rajonale të Lecces dhe shërbimit qendror të hetimit të krimit të organizuar në Romë dhe Guardia di financës, janë angazhuar në një operacion të madh antidrogë.

Hetimet, gjatë thuajse dy vitesh, kanë bërë të mundur që të identifikohen dhe kapen pjesëtarët e katër grupeve kriminale italo-shqiptare me baza operative në provincën e Leçes dhe degë në rajonet e tjera italiane, Kalabri, Toskana, Emilia Romanja, Siçili, Liguria dhe Lombardi, të gjithë përgjegjës për trafik ndërkombëtar droge, posedim dhe futje në territor italian të armëve dhe municioneve ushtarake.

Sasitë e drogës së sekuestruar në dy vjet janë 8 ton kanabis në Itali dhe 3 ton në Shqipëri, si dhe 10 kg heroinë dhe kokainë në Itali dhe Shqipëri.

Top Channel