Kolegji i Posaçëm i Apelimit shqyrtoi gjatë kësaj të marte ankesën e ish-gjyqtarit kushtetues, Gani Dizdari.

Për herë të parë pas 12 vendimeve të shpallura, pasi kanë dhënë vendim në dhomë këshillimi, gjyqtarët e vettingut nuk e bëjnë dot publik vendimin.

Shkak bëhet parashikimi ligjor, që detyron KPA-në të njoftojë fillimisht subjektin, e pastaj të publikojë vendimin.

Gjatë orëve të mbrëmjes, KPA është përpjekur të komunikojë me ish-gjyqtarin kushtetues, megjithatë ka qenë e pamundur të vendosë një kontakt.

“Është dërguar dy herë postieri, – tha një burim pranë KPA-së për Top Channel, – për të vënë në dijeni Dizdarin për verdiktin, por në shtëpi nuk është gjetur njeri”.

Ish-gjyqtari është telefonuar deri vonë nga KPA, por telefoni i tij është fikur. Në këtë situatë, gjyqtarët do të ridërgojnë sërish një postier në shtëpinë e ish-gjyqtarit kushtetues, e vetëm pasi gjyqtari të marrë dijeni, vendimi do të bëhet publik.

Top Channel