Goditen 4 banda droge. Operacioni në Shqipëri dhe në Itali. 27 arrestime

12/02/2019 14:58

Tonelatat e drogës që vërshojnë drejt brigjeve italiane detyruan dy vjet më parë një grup prokurorësh italo-shqiptarë që të gjenin një formulë të re reagimi kundër trafikantëve.

Ata krijuan një skuadër të përbashkët hetimi, çka solli dërrmimin e një rrjeti trafikantësh, gjithashtu italo-shqiptarë, që ka trafikuar 9 ton kanabis. Megjithëse me dhimbje koke pasi nuk po zbuloheshin disa nga autorët që përcillnin skafe me drogë drejt Italisë, prokurorët nuk e harruan xhentilesën dhe e pagëzuan aksionin “Lulet e pranverës”.

Ky kod u vendos sipas emrit të të vetmes femër në skuadër, prokurores Pranvera Pustina. Pasi u bindën për provat, mëngjesin e të martës në të njëjtën orë, të dyja vendet nisën sulmin ndaj trafikantëve.

Të arrestuarit në qytetin e Vlorës janë Denis Pashaj, Kristjan Llanaj, Luka Beqiraj, Arbnor Hoxhaj, Bilal Kabello dhe Kujtim Elmazi. Operacioni në Vlorë u zhvillua edhe me praninë e Guardia di Finanza.

“Janë gjithsej 27 persona të arrestuar”, tha Donika Prela.

Vetëm për 4 muajt e parë të vitit 2017 autoritetet sekuestruan disa ngarkesa me drogë në Gjirin e Lalëzit, Godull, Vjosë dhe Brindizi. Mes skafistëve të arrestuar pati edhe nga ata që nuk ishin vlonjatë, por italianë, si Xhanfranko Mariano dhe Donato Karluçi.

Pranvera Pustina tha: “Ata nuk kanë komunikuar nga burgu me askënd”.

Prokurori tjetër Përparim Kulluri pohon se ndërkohë po zhvillohet edhe hetim pasuror. Skuadra italo-shqiptare ishte e sinkronizuar edhe në mbylljen e operacionit që u deklarua i suksesshëm përmes një video-konference edhe nga prokurori i Antimafias Italiane, Federico Cafiero de Raho.

Top Channel