Maurizio Sarri mund të marrë frymë lirisht. Roman Abramovic vendosi që ta konfirmojë atë në pankinën e Chelsea-t edhe pas humbjes 6-0 me Manchester City.

Sipas medias britanike, manjati rus i dha edhe një shans tjetër trajnerit italian që së bashku me skuadrën e tij do të duhet të përballet me sfida të komplikuara në ditët në vazhdim. Blutë e Londrës do të luajnë në Europa League me Malmon, ndërkohë që në Kupën e Anglisë do të kenë përballë një skuadër si Manchester United. Këtu nuk duhet harruar pa përmendur as finalja e Kupës së Ligës, ku Chelsea do të jetë sërish përballë Manchester City-t të Pep Guardiolës, sfidë që do të pasohet nga derbi londinez me Tottenham-in.

Me pak fjalë, shkurti do të jetë një muaj ferri për Maurizio Sarrin, që përveçse kalendarit të vështirë, ka edhe probleme të tjera për të zgjidhur: atë të futbollistëve të tij. Ata që konsiderohen si senatorët e Chelseat e kanë vënë teknikun italian nën akuzë për shkak të nocioneve të tepërta taktike që, sipas tyre, vetëm shkaktojnë konfuzion te ta. Kështu që Sarrit i duhet të rifitojë besimin e tyre për të shpëtuar pozicionin e tij dhe për të larguar hijen e Gianfranco Zolës, që në orët e fundit u fol se do të merrte vendin e bashkëkombasit të tij në pankinën e Bluve.

Top Channel