Nga Lushnja, Lulzim Basha foli për policin e arrestuar në Malësinë e Madhe, duke akuzuar mazhorancën socialiste se veshi me uniformë një person të papërshtatshëm, që më herët ishte kapur në rrjetën e dekriminalizimit.

“Një njeri i larguar me ligjin e dekriminalizimit nga policia, në vitin 2015, u rikthye në fillim si komisioner i Rilindjes dhe pastaj si shef policie në Malësi të Madhe dhe ku u tregua qartë sesi abuzon me një vajzë 15-vjeçare. Ky është modeli i Edi Ramës”, tha Basha.

Kryedemokrati sfidoi rivalin Edi Rama, që të thotë dy fjalë për rastin e Dritan Dajtit, ndërsa e akuzoi kryeministrin se fshihet pas vendimit të gjykatësve të Apelit të Krimeve të Rënda.

“Ajo që praktikisht është shfajësimi i Dritan Dajtit, ajo është vepër e drejtpërdrejtë e Edi Ramës. Njësoj si me Dritan Dajtin ai është lidhur me të gjithë banditët e tjerë të Shqipërisë. Ai nuk përfaqëson më asnjë vullnet politik, ndaj është detyrë kombëtare që populli i bashkuar të marrë fatet në duar, ditën e shtunë”, theksoi Basha.

Sipas Bashës, edhe Lushnja është kapur nga grupet kriminale, të cilat i përmendi me emra.

“Çdo pasuri e lushnjarëve sot është në duart e bandave të Lushnjes, e Shytëve me shokë e me ortakë dhe e atyre që i delegojnë me telefon nga qelitë e burgut”, u shpreh Basha.

Për fermerët lushnjarë, Basha tha se PD ka një program që synon të rrisë prodhimin shqiptar përmes 100 mln eurove subvencione të drejtpërdrejta.

“Dhe traun e doganës për çdo prodhim të subvencionuar, në mënyrë proporcionale tarifë doganore”, tha Basha.

Top Channel