“Venezuela ka qenë dikur një prej vendeve më të pasura të Amerikës Latine, me një forcë pune të mirë-arsimuar e me pasuri të mëdha natyrore, përfshirë sigurisht edhe rezervën më të madhe të naftës në botë. Fakti që kanë mbërritur në këtë pikë, është një tragjedi e madhe, për vetë popullin venezuelijan më së pari”, tha Dr Robert Khan, profesor, American University.

“Ekonomia ka hyrë në një spirale mosfunksionimi. Sot Venezuela, ka inflacionin më të lartë në botë. Njerëzit nuk kanë bukë të hanë; thelbi i të gjithë kësaj krize janë dekada të tëra politikash populiste dhe ekonomikisht të paqëndrueshme, fillimisht nën presidentin Hugo Chavez e tani me Nicolas Maduron” shton Dr Robert Khan, profesor, American University .

Në Venezuelë, nuk çuditen më nga pamja e njerëzve që kërkojnë ushqim nëpër kosha mbeturinash; në spitale regjistrohen vdekje masive të porsalindurish; sigurimi i ilaçeve është thuajse i pamundur, ndërsa vendi po kalon nëpër një cikël të përsëritur dhune e protestash nëpër rrugë. Pyetja që lind natyrshëm mbi situatën ekstreme të përjetuar sot nga ky shtet i varfëruar i Amerikës Latine, është si u arrit deri këtu? Përse në vendin e bekuar me rezerva gjigante nafte, njerëzit vuajnë për bukën e gojës?

Kur mori në dorë frerët e pushtetit dhjetorin e vitit 1998, Hugo Chavez erdhi me plane të mëdha për zbutjen e varfërisë. Asokohe, ai shpalli një ‘agim të ri për drejtësinë sociale, për pushtetin e popullit’.

“Rilindja e Venezuelës po ndodh dhe asgjë e askush nuk mund ta ndalojë”, deklaronte dikur Chavez.

Dy dekada më vonë, euforisë së commandante-s, i kanë mbetur vetëm zhelet; revolucioni i tij I zjarrtë Bolivarian, ka ngecur në vend keqas. Kaosi ekonomik, politik e social ka përfshirë të gjithë shoqërinë venezuelijane; gati 10% e popullatës 31 milionë banorëshe është larguar nga vendi e pjesa dërrmuese e atyre që kanë qëndruar, jetojnë në varfëri.  Chavezi shihej shume si njeri i popullit, si njeri i të varfërve; ai u identifikua me ta dhe për këtë, njerëzit e deshën. Ishte popullor, ishte krijues dhe kishte në dorë një bazë të fuqishme ekonomike: naftën.

“Kur Chavezi erdhi fillimisht në pushtet, nafta kapte 9 dollarët për fuçi. Por në 2004-2005-sën, çmimi kishte kërcyer në mbi 100 dollarë fuçia”, thotë Julia Buxton, profesore.

“Chavezi praktikisht kishte edhe pushtetin, edhe paratë dhe ai vendosi të ketë disa forma të reja të politikave sociale, të cilat t`i shpërndanin të ardhurat nga nafta në mënyrë më masive drejt atyre që kishin më shumë nevojë, drejt më të vobektëve”, tha Margarita Lopez Maya, një tjetër profesore.

Siç do të shpjegonte për Al Jazeerën profesor Ricardo Hausman, në një analizë të thelluar të televizionit të njohur të Katarit, me këto në mendje, Chavez shkoi në Kubë  dhe aty mori plot ide për programe të reja sociale: programe për shëndetësinë, për ushqimin, për bursat universitare. Të ashtuquajturat `Misiones` do t`i jepnin njerëzve të drejta qytetare, karta identiteti, akses në trajnimet për punësim, sistemet universitare. Ndërkohë, përdorte naftën për të prodhuar ndryshimin social. E këtë, mund ta bëjë përsa kohë çmimet janë ende të larta. Strategjia fillestare e Chavizmit lidhej me diversifikimin e ekonomisë, dhe reduktimin e cënueshmërisë së Venezuelës ndaj luhatjeve të çmimit të naftës, ç’ka u mendua  fillimisht të arrihej përmes reformave të tokës. Në këtë mënyrë,  pretendohej të ulej varësia e vendit ndaj produkteve bujqësore dhe ushqimore të importit. Por, pas zgjedhjeve presidenciale të 2006-tës, qeveria venezuelijane vendos t`i hyjë procesit të shtetëzimit në sektorë kyç si ai i naftës, energjisë, telekomunikacioneve.

“Ai shkoi e bleu dhe Banco de Venezuela nga banka spanjolle Santander; bleu të gjitha kompanitë e çimentos; vendi humbi pjesën dërrmuese të bizneseve të tij private”, tha Ricardo Hausman, profesor.

Ndërkohë, synimi fillestar për të tkurrur varësinë nga importet do të venitej në vazhdën e politikave që synonin të ndihmonin të varfrit. Kontrolli i çmimeve që vendosi Chavez mbi mallrat bazë, bëri që mjaft biznese vendase të mos e shikonin më si fitimprurës prodhimin e këtyre artikujve. Kritikët po ashtu fajësojnë kontrollin e rreptë të valutës së huaj si shkaktar të lulëzimit të tregut të zi në dollarë. Por në çdo hap që hidhte, Chavezi nuk i mendonte shumë pasojat, sepse kishte gjithmonë burime të mjaftueshme për të ndihmuar importin.

“Ne importonim ilaçe, importonim veshje, importonim makina, importonim praktikisht çdo gjë, dhe shkatërruam ndërkohë fuqinë prodhuese të vendit”, tha Margarita Lopez Maya, profesore.

Modeli ekonomik i Chavezit, në thelb, nuk ishte praktikisht asgjë më shumë sesa rivendosja e gjithçkaje në kontroll të shtetit. Për ekspertët, ajo që ndodhi në këtë pikë qe krijimi i strukturave paralele siç mund të konsiderohen edhe vetë `Misiones`. E gjithë kjo, u bë shumë e kushtueshme. Periudha e boom-it të naftës, nga 2004-ta deri në 2014-tën, i erdhi vërtet në ndihmë, por me bindjen se nafta do të ishte gjithmonë aty për ta nxjerrë nga telashet, lidershipi venezuelijan shpenzoi pa hesap, pa lënë asgjë mënjanë.

Çështja është se çmimet e naftës janë ciklike, dhe ata që janë pjesë e industrisë, këtë gjë e dinë mirë. Kuotimi i arit të zi, e mori një ditë të tatëpjetën, ashtu siç ndodhi edhe me shëndetin e Chavezit, që sëmuret nga kanceri. Huadhënësit nisën të rrudhin dorën, ekonomia fillon rënien. Përkundër premtimeve, asgjë nuk ishte bërë për të frenuar korrupsionin. E si të mos mjaftonte kjo, vendin e Chavezit e zë njeriu i tij i besuar, Nicolas Maduro, një njeri edhe më pak vizionar sesa ai. Çmimi i naftës ndërkohë, vazhdonte rënien dhe vendi gjendet përballë pamundësisë për të blerë ushqime apo ilaçe importi.

Nuk do të vononte shumë që situata të degradonte deri në atë pikë sa tregut t`i mungonin edhe artikuj më bazikë: qumështi, orizi, sapuni, pasta e dhëmbëve. Sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara sakaq po e bëjnë dhe ato punën e tyre. Kolapsi i ekonomisë, që kish nisur në 2014-tën, u përkeqësua një vit më vonë duke u mbërritur tani kulmin. Maduro nuk zgjidhi praktikisht, asnjë prej problemeve të trashëguara nga Chavez. Të vetmit që përfitojnë dhe jetojnë mirë, janë pjesëtarët e qarqeve luajaliste rreth tij. Në kohën kur pjesa më e madhe e njerëzve mezi arrijnë të sigurojnë bukën, në diskot dhe klubet eksluzive të vendit, konsumohen kokteje e ushqime si sushi.

Realiteti i skamjes është ai që shihet sot jashtë, ai që shihet nga ekspertë e nga opozitarët vendas, por që nuk shihet nga të gjithë. Pavarësisht varfërisë ekstreme që i rrethon, nuk janë të paktë venezuelijanët, të cilët ende adhurojnë regjimin e sidomos atë që e quajnë `shenjti Chavez`.

“Gjithçka që kam këtu, në këtë shtëpi, apartamenti vetë, ushqimi, të gjitha këto janë falë komandantit Chavez, ndaj ne e dimë që revolucioni nuk ka për tu rrezuar kurrë”, Teresa Anzola.

Nicolas Maduro u zgjodh për herë të parë prillin e 2013-tës pas vdekjes së Chavezit dhe gjatë mandatit të tij të parë, ekonomia praktikisht përfundoi në rënie të lirë, ç’ka bëri që shumë venezuelijane të fajësonin pikërisht liderin e tyre dhe qeverinë socialiste për gjendjen e mjerueshme të vendit. Majin e 2018-tës, siguroi një mandat të dytë por shumë të diskutuar në krye të vendit. Maduro ishte i bindur se zgjedhjet presidenciale nuk do të përbenin një sfidë për të; fushatën e çeli duke kërcyer e duke kënduar ndërsa e paraqiti veten si `presidentin që garanton të drejtën e lumturisë`, edhe pse vendi gremisej në krizën më të rëndë të historisë së vet.

Megjithatë, gjërat nuk do të shkonin `aq vaj` sa ç`mendonte lideri venezuelijan: shumë kandidatëve opozitarë i ishte ndaluar pjesëmarrja në zgjedhjet e majit, të tjerë ose ishin burgosur ose ishin larguar nga Venezuela prej frikës se mund të përfundonin si kolegët e tyre, prapa hekurave; partitë opozitare e dinin që në fillim se këto votime nuk kishin për të qenë as të lira, e as të ndershme. Dhe vetë rizgjedhja e Maduros nuk u njoh nga Asambleja Kombëtare e vendit, e kontrolluar nga opozita. Ai njoftoi se do të përfundonte një herë pjesën e mbetur të mandatit të parë, përpara se të bënte betimin për të dytin në 10 janar.

Por, opozita që këmbëngul se Maduro po e mban të mbërthyer pushtetin me mashtrim, mori një shtysë të re pas ceremonisë së tij të betimit. Asambleja Kombëtare doli në përfundimin se zgjedhjet nuk ishin të ndershme, se Nicolas Maduro është një `uzurpator` dhe se posti i presidentit, në fakt, është vakant. Kryetari i saj, Juan Guiado e shpalli veten `president të përkohshëm` vetëm pak pasi gjykata supreme e dominuar nga luajalistët, i kishte hapur rrugën një hetimi penal ndaj legjislaturës së ndodhur në duart e opozitës.

“Zotohem të marr zyrtarisht pushtetin ekzekutiv kombëtar si president në detyrë i Venezuelës, t`i jap fund uzurpimit, të krijoj një qeveri tranzicioni e të mbaj zgjedhje të lira dhe demokratike”, do të deklaronte Juan Guaido, kryetar i opozitës.

Duke cituar nenin 233 dhe 333 të kushtetutës se Venezuelës, legjislatura thotë se në raste të tilla, kreu i Asamblesë Kombëtare mund të veprojë si president në detyrë. Kjo është arsyeja përse Guaido u vetëshpall kryetar i përkohshëm i shtetit ne 23 janar. Presidenti amerikan Donald Trump e njohu zyrtarisht si të tillë vetëm pak minuta më vonë.

“Qytetarët e Venezuelës kanë vuajtur shumë gjatë në duart e regjimit ilegjitim të Maduros. Sot, unë e kam njohur zyrtarisht kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido si presidentin e përkohshëm të Venezuelës” , do të shkruante Donald Trump në Twitter.

Amerika, thuhej edhe në mesazhin e postuar po në Twitter nga numri dy i administratës amerikane, Mike Pence, është me ju dhe do të vazhdojë të jetë me ju deri në rikthimin e lirisë!  Washingtoni do ta bënte të qartë në më shumë se një rast se në këtë pikë, konsideron që të gjitha mundësitë janë në tryezë.

Siç mund të pritej, Maduro qe e përsërit prej kohësh se pas përpjekjeve për rrëzimin e tij nga pushteti qëndron Amerika, nuk ndjeni duarkryq. Ai ndërpreu marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara e i dha diplomatëve amerikane 72 orë kohë për të lënë Venezuelën. Brenda vendit, kundërshtarët e qeverisë nuk mund të gëzoheshin më shumë nga lëvizja e Guaidos, por zyrtarët qeveritarë nisën të grumbulloheshin rreth presidentit të tyre për ta mbrojtur nga `kërcënimet imperialiste`.

“Ne njohim si president legjitim të republikës bolivariane të Venezuelës, komandantin e forcave tona të armatosura, qytetarin  Nicolas Maduro Moro”, do të deklaronte Vladimir Padrino Lopez, ministër i mbrojtjes.

E ndërsa Guiado mund të mbështetet tek përkrahja e Amerikës, ajo e disa vendeve latine dhe një sërë shtetesh anëtarë të Bashkimit Europian, në të vërtetë ai nuk ka shumë fuqi reale në dorë. Është vërtet kryetar i Asamblesë Kombëtare, por organ legjislativ është zhveshur nga një pjesë e mirë e pushtetit të tij prej krijimit të Asamblesë Kushtetuese Kombëtare në vitin 2017, e cila përbëhet ekskluzivisht nga besnikët e qeverisë. Ushtria dhe forcat e sigurisë shihen si faktor kyç në zgjidhjen e krizës. Çështja është se deri më tani, ata i kanë dalë në krah Maduros që i ka shpërblyer vazhdimisht me rritje rroge, me poste kyçe e vende të rëndësishme nëpër industri.

Pas ngjarjeve të 23 janarit, një sërë krerësh ushtarakë nxituan t`i tregonin mbështetjen e tyre për Maduron, por videot e postuara në rrjete sociale treguan sesi anëtarë të Rojës Kombëtare i hapën rrugën protestuesve për t`i lejuar të marshonin të lirë në kryeqytet. Guaidó i ka premtuar të gjithë personelit të sigurisë amnisti nëse braktisin Maduron. Por regjimi ka edhe mbështetje nga jashtë: qeveria e Maduros zor se do të rezistonte gjatë pa përkrahjen e Rusisë, Kinës apo Kubës.

E ndërsa lufta e pushtetit nuk dihet çfarë rrjedhe do të marrë, venezuelijanët duhet të zgjidhin luftën e tyre te përditshme: atë të një jete në kushtet e hiperinflacionit me çmimet që në fund të vitit 2018 dyfishoheshin mesatarisht çdo 19 ditë; abisi i dëshpërimit nuk ka kursyer shumë venezuelijanë që jetojnë në një ekonomi të pasur me naftë, por që si asnjë vend tjetër i ngjashëm me të, në lindje apo ne perëndim, është rrënuar thuajse krejtësisht nga kleptokracia e maskuar si ideologji.

Kriza e Venezuelës po i afrohet pikës së vlimit e bota po pret të shohë se çdo të ndodhë në vendin e varfër të Amerikës Latine: do të fitojë e vjetra me fytyrën e Nicolas Maduros, apo e reja që ndoshta edhe mund të kërkojë t`ia shkulë pushtetin me dhunë, përballë pamundësisë për t`ia marrë, siç thotë, me rrugë demokratike.

Nga Irida Vasia

Top Channel