Kategoria Superiore do të vijojë sot me 3 ndeshje të tjera të javës së 21-të, ku natyrisht që vëmendja më e madhe do të jetë në sfidën Kukësi-Tirana.

Ky takim do të startojë në orën 14:00 dhe për vetë rëndësinë që ka, veçanërisht për skuadrën verilindore, pritet të ofrojë emocion dhe spektakël.

Kukësi ka si synim titullin kampion në Shqipëri, por fitorja e Partizanit përballë Kastriotit, ka rritur presionin ndaj të besuarve të Cungut, të cilëve nuk u lejohet hapi fals sot.

Nga ana tjetër Tirana ka treguar një fytyrë krejt tjetër në takimet e vitit 2019, duke u shfaqur si një skuadër e konsoliduar, që mund t’i hapë probleme çdo lloj kundërshtari.

Po në orën 14:00 do të zhvillohet edhe sfida mes Luftëtarit dhe Flamurtarit, ku gjirokastritët do të kërkojnë 3 pikët e radhës, për t’iu larguar zonës së ftohtë, ndërsa vlonjatët duan të lënë pas eliminimin në Kupë.

Në orën 17:00 vëmendja do të spostohet në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, ku Teuta e Blendi Shkëmbit do të presë Kamzën e vendit të fundit.

Durrsakët kanë bërë një merkato spektakolare në janar dhe tashmë presin të marrin frytet, ndaj përballë Kamzës do të luajnë me synimin e vetëm, marrjen e fitores.

Nga ana tjetër Kamza vjen edhe në këtë takim me probleme të shumta, ku më shqetësues është mungesa e likuidimit të futbollistëve.

Disa prej tyre refuzuan të zbresin në fushë përballë Partizanit, veprim ky që mund të përsëritet edhe sot, ndonëse situata është alarmante, pasi skuadra pozicionohet në vendin e fundit dhe nuk ka kohë për të humbur.

Top Channel