Gjykata e Durrësit ka marrë dëshminë e së miturës 14-vjeçare nga Kavaja, e cila pas sigurimit të kësaj prove nuk do të ketë detyrimin të pyetet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Megjithëse mbrojtja e disa prej të miturve të arrestuar për abuzimin seksual kishte kundërshtuar, gjykata vendosi sigurimin e provës për shkak dhe të ndjeshmërisë së lartë të çështjes dhe mundësisë që vajza të jetë objekt dhune, kanosjeje apo dhe premtimi që të ndryshojë dëshminë kundrejt parave apo përfitimeve të tjera, por dhe sepse familja e vajzës do të largohet jashtë vendit.

Në këtë seancë e mitura nuk është përballur me abuzuesit e saj, gjë që parashikohet dhe në kodin e drejtësisë penale për të mitur. Madje në ambjentin krejt joformal ku ndodhej vajza nuk kanë qenë të pranishëm as avokatët mbrojtës të 7 të arrestuarve. Ata kanë qenë në një ambjent tjetër të gjykatës dhe komunikimi mes palëve është realizuar përmes një videokonference.

E mitura në prani të prindërve ka dhënë dëshminë e saj që do të përdoret si prova kryesore ndaj 8 të akuzuarve, njëri prej të cilëve ende në kërkim, për veprën penale “marrëdhënie seksuale me të mitur” në bashkëpunim. Ajo u është përgjigjur edhe pyetjeve të avokatëve dhe i ka qëndruar deklaratave të bëra dhe më parë në polici e prokurori.

Pas sigurimit të kësaj prove, gjykimi i çështjes mund të vijojë dhe pa praninë e së miturës, e cila që nga fundi i tetorit të vitit të kaluar u përfshi në një histori abuzimi seksual nga shokë të shkollës dhe të afërm të tyre, edhe ata të mitur.

Ndërkohë, hetimet kanë vënë në qendër të tyre dhe institucionet arsimore të cilat nuk kanë respektuar protokollin e referimit të këtij rasti, si dhe policinë vendore të Kavajës.

Top Channel