Sfida mes Dallas dhe Milwaukee në NBA ishte ajo e yjeve të rinj të basketbollit europian. Nga njëra anë ishte Luka Donçiç me Mavericks dhe nga ana tjetër Giannis Antetokounmpo i Milwaukee Bucks, skuadër që kryeson Konferencën e Lindjes.

Rezultati i sfidës nuk shkoi mirë për Dallasin dhe talentin slloven, pasi ishte skuadra e Bucks, ajo që fitoi me rezultatin 122-107, ndërkohë që në derbin individual europian ishte basketbollisti grek Antetokounmpo, që bëri më mirë sesa Donçiç.

Basketbollisti grek e mbylli sfidën me 29 pikë e 17 asiste, ndërsa Donçiç shënoi vetëm 20 pikë. Sa i përket sfidës, perioda e parë u mbyll në barazim 29-29, por në periodën e dytë, Milwaukee filloi të shkëputet në rezultat dhe e çoi në 17 pikë avantazhin ndaj Mavericks, kur kishte mbetur një minutë nga fundi i pjesës së parë.

Pas pushimit të ndeshjes, Milwaukee nuk bëri gjë tjetër veçse administroi avantazhin për që regjistruar në fund fitoren e 6 radhazi, duke ruajtur bilancin më të mirë të kampionatit me 41 fitore dhe 13 humbje, si dhe vendin e parë në Konferencën e Lindjes.

Golden State arriti të marrë maksimumin në ndeshjen e “Talking Stick Resort Arena” të Phoenixit, pasi mundi skuadrën vendase me rezultatin 117-107. Fillimi i ndeshjes ishte më i mirë për Phoenix, që mori avantazhin 26-9. Por, Golden State reagoi dhe përmbysi rezultatin, duke shkuar në pushimin e ndeshjes me avantazhin 60-53.

Te Golden State ka një problem që e ka emrin Stephen Curry, i cili si rrallëherë nuk kishte saktësinë e zakonshme në gjuajtjet e tij. Ndërsa te Phoenix, Ayton, Bridges dhe Oubre Jr. bënë të mundur rimarrjen e avantazhit nga Suns në 85-82 në periodën e fundit.

Ishte pikërisht kjo periodë, kur Stephen Curry u zgjua dhe filloi të luajë duke shënuar 10 pikë, për të marrë përsipër drejtimin e Golden State në një tjetër përmbysje rezultati. Në 6 minutat e fundit, Warriors ishin në disavantazhin 88-94, por nga ky moment, kampionët në fuqi regjistruan një rezultat të pjesshëm 13-0 për të rimarrë kryesimin me 7 pikë diferencë, e për të mbyllur krejt sfidën në favorin e tyre.

Top Channel