Kryetari i parlamentit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferri njoftoi gjatë ditës së djeshme se është vendosur data 21 prill, për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në vend.

“Unë jam i bindur se të gjithë palët e përfshira në procesin zgjedhor do të japin kontributin e tyre në mënyrë që zgjedhjet të mund të zhvillohen në një atmosferë të drejtë dhe demokratike”, tha Talat Xhaferi pas njoftimit të datës.

Roli i presidentit është kryesisht ceremonial, por ai nënshkruan ligjet e miratuara nga parlamenti dhe është komandant i përgjithshëm i ushtrisë.

Qeveria e Kryeministrit Zoran Zaev siguroi një shumicë të ngushtë në parlamentin me 120 vende, për të ndryshuar emrin e vendit në Maqedoninë e Veriut, duke u dhënë fund mosmarrëveshjeve të gjata me Greqinë dhe duke hapur rrugën për pranimin e vendit në NATO dhe përfundimisht në Bashkimin Evropian.

Por nacionalistët, përfshirë presidentin aktual Gjorge Ivanov dhe opozitën VMRO-DPMNE, kundërshtojnë ndryshimin e emrit. Për 27 vjet, Greqia kishte bllokuar pranimin e ish republikës jugosllave në NATO dhe BE, duke refuzuar ta pranonte emrin Maqedonia, duke thënë se kjo nënkupton një pretendim territorial mbi krahinën e tij veriore me të njëjtin emër.

Por në qershorin e kaluar kryeministri Zaev dhe homologu i tij grek Alexis Tsipras ranë dakord mbi një emër të ri Republika e Maqedonisë Veriore.
Të enjten, Maqedonia nënshkroi protokollin e pranimit me NATO, pavarësisht kritikave ruse që zgjerimi i mëtejshëm i aleancës në Ballkan po minon stabilitetin rajonal.

Top Channel