Organet greke të shëndetit ndodhen në alarm, pas rritjes së numrit të viktimave nga virusi i gripit. Vetëm brenda një jave kanë humbur jetën nga virusi në fjalë, të paktën 21 persona dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 39.

Prej tyre 37 janë të moshave nga 25 deri në 90 vjeç, një fëmijë 5 vjeç dhe një foshnjë që nuk ka përballuar dot temperaturën e lartë në spitalin “Ipokratio” të Selanikut.

Në një konferencë për shtyp nga Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të sëmundjeve infektive, KEELPNO, specialistët theksojnë edhe një herë rëndësinë e vaksinimit, pasi shumica e viktimave ishin të pa vaksinuar ose ju përkisnin grupeve të pacientëve me rrezikshmëri të lartë, që vuanin edhe nga sëmundje të tjera.

Gjithashtu është bërë me dije se në këto momente në gjithë vendin, të paktën 165 pacientë të infektuar me virusin H1N1 trajtohen në gjendje serioze në repartet e reanimacionit.

Duke iu referuar edhe shifrave alarmante në Rumani, ku numri i viktimave ka kaluar mbi 90 vetë, organet greke të shëndetësisë paralajmërojnë të gjithë qytetarët për të zbatuar sa më shumë masat parandaluese, ndërsa një fushatë informimi ka ditë që ka filluar edhe në shkollat e ciklit të mesëm dhe të ulët.

Top Channel