Roma mori maksimumin në transfertën veroneze ndaj Chievos, në “Bentegodi”, pasi arriti të triumfojë me rezultatin 0-3, duke hedhur pas krahëve periudhën e vështirë të dy javëve të fundit.

Verdhekuqtë dominuan sfidën gjatë gjithë 90-minutëshit, pasi zhbllokuan rezultatin që në minutën e 9’ me anë të El Sharawit dhe dyfishuan vetëm 9 minuta më vonë me anë të sulmuesit tjetër, Edin Dzeko.

Në pjesën e dytë nuk mungoi as goli i mbrojtësit serb Alexander Kolarov, i cili ka bërë shpesh goleadorin këtë sezon, ndërsa sot vulosi fatin e takimit dhe 3-pikëshin për skuadrën e Romës.

Me këtë fitore, trajneri Di Francesco gjen pak qetësi, pasi ishin hedhur hije dyshimi mbi të ardhmen e tij, ndërsa Roma u ngjit përkohësisht në vendin e katërt, me 38 pikë, aq sa ka edhe Lazio e vendit të pestë.

Top Channel