Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim pune gjatë kësaj të premteje disa zyrtarë të lartë.

Të pranishëm ishin ministri i Brendshëm Ekrem Mustafa; ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi; drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj; kryeshefja e Inspektoratit Policor, Miradie Kelmendi; si dhe kryeinspektori i Arsimit, Dëfrim Gashi.

Haradinaj ka kërkuar prej tyre që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për të zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer vepra të jashtëligjshme, në rastin e shfrytëzimit të të miturës nga Drenasi.

“Institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatimin e ligjit. Rasti i abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm, nga të gjitha institucionet e vendit. Njëkohësisht kërkoj nga të gjitha mekanizmat institucional dhe shoqëror që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen”, është shprehur ai.

Top Channel